Zëdhënësi presidencial i Turqisë, İbrahim Kalın, shprehu solidaritet me frontin e bashkuar të palestinezëve kundër planit izraelit të aneksimit të pjesëve të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne e mbështesin plotësisht vendimin e partive politike palestineze për t’u bashkuar kundër planit të aneksimit të paligjshëm të Izraelit”, tha Kalın në një deklaratë të shkruar në lidhje me planin e Izraelit për të aneksuar pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor.
Aneksimi ishte planifikuar të shpallej nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën.
Megjithatë, Netanyahu ka shfaqur pasiguri pas kundërshtimit të gjerë ndërkombëtar të planit, së bashku me dallimet me administratën amerikane për zbatimin e tij.
Kalın tha se besojnë se fronti i bashkuar i popullit palestinez kundër përpjekjes së aneksimit do ta bëjë të përhershme frymën e nevojshme të unitetit dhe solidaritetit.
Kalın ritheksoi se planet e Izraelit shkelin ligjin ndërkombëtar dhe nisma nuk ka asnjë bazë të ligjshme.
“Bota duhet të kundërshtojë politikat e reja të okupimit dhe të rrëmbimit të tokës nga ana e Izraelit dhe të mbështesë popullin palestinez”, tha ai.
Turqia do të vazhdojë të qëndrojë me popullin palestinez në kauzën e tyre të drejtë dhe legjitime, shtoi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.
Hamas dhe Fatah sot zhvilluan një konferencë të përbashkët në të cilën palët ranë dakord për të unifikuar përpjekjet kundër aneksimit.
Dy fraksionet palestineze kanë pasur mosmarrëveshje që kur Hamas mori kontrollin e Rripit të Gazës në mesin e vitit 2007 pas disa ditësh përleshje.