Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë njoftoi se ka nisur stërvitja më e madhe ushtarake e tyre e quajtur “Ujku i Detit” e cila po mbikëqyret nga marina turke e që do të zgjasë deri më 25 maj.
Stërvitja po mbahet në tri dete njëkohësisht, Mesdheun lindor, Egje dhe Detin e Zi, me 131 anije luftarake, 57 avionë dhe 33 helikopterë.
Forcat Detare Turke do të kryejnë stërvitje strategjike dhe operacionale me skenarë të ngjashëm me situatat e tensioneve, krizave dhe kohërave të luftës.
Anadolu Agency raporton se pjesë e stërvitjes do të jenë edhe sistemet e brendshme të armëve dhe ato kombëtare, duke përfshirë mjetin ajror pa pilot me shpejtësi të lartë dhe varkën mbrojtëse anti-sipërfaqësore “Albatros”.
Po ashtu, pjesë e stërvitjeve do të jenë edhe nëndetëset e nivelit të lartë, fregatat, artileritë detare, UAV-të e armatosura, si dhe njësitë e kërkimit dhe shpëtimit.