Turqia është e gatshme të dërgojë ndihma humanitare për palestinezët e prekur nga konflikti në Gaza, njoftoi sot një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes turke. Megjithatë, ai theksoi se është shumë e vështirë të ofrohet kjo ndihmë në rrethanat aktuale.
“Situata në rajon është komplekse. Në rrethanat aktuale është shumë e vështirë të ofrohet ndihma atje. Por forcat e armatosura turke janë të gatshme të kryejnë misionin që u është caktuar për të ofruar ndihma atje”, tha zyrtari.
Egjipti bën presion për përmbajtje
Ndërkohë, nevoja për të siguruar rregullsinë e shërbimeve të ndihmave humanitare për palestinezët në Gaza u theksua nga presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi në një bisedë telefonike që pati me kryeministrin britanik Rishi Sunak, tha presidenca egjiptiane në një deklaratë të sotme.
Në komunikimin që të dy burrat patën, presidenti egjiptian informoi Sunakun për “përpjekjet e vazhdueshme të Egjiptit për të bërë presion për qetësi dhe përmbajtje absolute në mënyrë që të shmanget gjakderdhja, çmimi i së cilës do të paguhet nga më shumë të pafajshëm dhe efektet e të cilave do të përhapen në të gjithë botën dhe rajon”, thuhet në njoftim.
Gaza nën rrethim të plotë
Sulmet ajrore izraelite dhe rrethimi i plotë i Gazës kanë ngritur shqetësime në Egjipt, i cili kufizohet me pjesën jugore palestineze dhe kontrollon pikën kryesore të daljes për 2.3 milionë banorët që jetojnë atje.
Egjipti ka thënë se dëshiron të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare përmes kalimit Rafah, por gjithashtu ka theksuar kundërshtimin e tij për të detyruar banorët e Gazës të kalojnë atë kufi.