Twitter planifikon të shtojë një etiketë “zyrtare” në disa llogari të verifikuara, tha kompania të mërkurën.
Etiketa e re “zyrtare” nuk është e disponueshme për blerje dhe jo të gjitha llogaritë e verifikuara më parë do ta marrin atë. “Llogaritë që do ta marrin atë përfshijnë llogari qeveritare, kompani tregtare, media kryesore, botues dhe disa figura publike,” shkroi Esther Crawford, drejtore e menaxhimit të produkteve, transmeton Fol Drejt.
“Shumë njerëz kanë pyetur se si do të jeni në gjendje të dalloni midis abonentëve të Twitter Blue dhe llogarive që janë verifikuar si zyrtare. Kjo është arsyeja pse ne po prezantojmë etiketën “, shtoi ajo.
Funksioni i ri është i fundit në një varg ndryshimesh që Elon Musk ka bërë që kur mori kompaninë në tetor. Në fillim të këtij muaji, multimiliarderi tha se përdoruesit do të paguajnë që të mbanin verifikimin e tyre blu. “Duhet të paguajmë disi faturat! Twitter nuk mund të mbështetet tërësisht te reklamuesit. Po 8 dollarë? Unë do ta shpjegoj arsyetimin në një formë më të gjatë përpara se kjo të zbatohet. Është e vetmja mënyrë për të mposhtur bots,” shkroi shefi i Tesla.
Musk bëri gjithashtu një ndryshim tjetër në udhëzimet që duhen ndjekur nga përdoruesit e verifikuar. Ai shtoi se llogaritë që ndryshojnë emrin për të imituar të tjerët do të ndalohen përgjithmonë nga faqja pa paralajmërim./FolDrejt/