Komisioni Evropian, dega ekzekutive e Bashkimit Evropian, do të rialokojë 135 milionë euro në fonde të destinuara dikur për Rusinë dhe Bjellorusinë për projektet në Ukrainë dhe Moldavi, njoftoi Komisioni më 16 gusht, shkruan Kyiv Independent.
Komisionerja për Kohezionin dhe Reformat, Elisa Ferreira, tha se vendimi për të ndërprerë bashkëpunimin me Rusinë dhe Bjellorusinë “është rezultat i luftës brutale të Rusisë kundër Ukrainës”.
Paketa e financimit është pjesë e Instrumentit të Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Komisionit.
Në mars 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Komisioni fillimisht ndërpreu bashkëpunimin me Rusinë dhe Bjellorusinë dhe ricaktoi 26 milionë euro për Ukrainën dhe Moldavinë. Vendimi i sotëm do të thotë se fondet e mbetura për periudhën 2021-2027 gjithashtu do të rishpërndahen për të forcuar programet e BE-së në Ukrainë dhe Moldavi.
Këto programe përfshijnë përmirësimin e lidhjeve të transportit ndërkufitar , zhvillimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, lehtësimin e projekteve arsimore dhe kërkimore dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.
“Kjo do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit midis rajoneve të BE-së dhe palëve lokale të interesuara me partnerët ukrainas dhe moldavë,” tha Ferreira.