Ka ndërruar jetë në Kenia 22-vjeçarja Joy Ayoko që u dhunua barbarisht në Tiranë. Lajmi është konfirmuar nga e ëma, Ruth Abongo. E reja u largua nga Shqipëria në fund të janarit për t’u mjekuar në vendlindjen e saj. Ajo ndodhej e shtruar në spitalin e Traumës që prej muajit gusht të vitit të kaluar.
22 vjeçarja u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë. Që atëherë keniania ishte në gjendje kritike dhe kishte nevojë për kujdes të specializuar neurologjik. Ajo ndodhej në banesë me 5 persona, katër prej të cilëve shqiptarë.
Sipas raportimeve, mes 22-vjeçares dhe personave ka ndodhur një sherr dhe më pas ata e kanë dhunuar barbarisht dhe e kanë hedhur nga ballkoni i katit të dytë. Por edhe pse kanë kaluar disa muaj nga kjo ngjarje e rëndë, ende nuk ka asnjë emër konkret të dyshuarish nga autoritetet.
Rasti i 22 vjeçares solli në Shqipëri edhe disa përfaqësues të ambasadës keniane në Romë, ku u takuan me shefin e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, Petrit Halo. Pak kohë më parë, nëna e 22 vjeçares dha një intervistë ekskluzive për Abc News, e cila u informua se e bija kishte përfunduar në spital nga kompania e kazinosë ku ajo punonte, raporton abcnews.al, përcjell Fol Drejt.