Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Tiranë.
Ai tha se u ftua nga Kuvendi i Shqipërisë, IPAC Albania dhe SECC, derisa tregoi se fjalën kryesore e kishte ish-Komandanti Suprem i NATO-s dhe Këshilltari për Siguri i Presidentit Obama, James Jones, të cilit në postim në Facebook i referohet vetëm si “Gjenerali Jim”.
Ish-shefi i qeverisë kosovare tha se, në prezencë të shumë deputetëve të rajonit, kanë biseduar për veprimet e nevojshme për t’u përballur me rreziqet e sigurisë nga agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe ndikimet në Ballkan.
“Theksova se Kina gjithashtu paraqet rrezik me shtrirjen e ndikimit të saj duke u dhënë borxh vendeve në zhvillim, duke marrë kontrata të mëdha për infrastrukturë publike dhe duke u imponuar edhe politikisht. U theksua se zhvillimi teknologjik dhe implementimi i 5G të sigurt është parësor për të parandaluar ndërhyrjet nga jashtë. Gjithashtu, iniciativa e 3 deteve u velrësua se është thelbësore për Europën dhe Ballkanin me rëndësi të veçantë politike ekonomike dhe gjeostrategjike. Është e domosdoshme përfshirja e vendeve të Ballkanit në këtë iniciativë, e cila krijon potencial për zhvillimin e infrastrukturës, teknologjisë dhe pavarësisë energjitike”, ka shkruar Hoti në Facebook, në postimin ku përveç me “Jimin” shihet edhe me deputetin e LDK-së, Armend Zemaj.
Konferenca me temën “Sfidat e sigurisë dhe riformimi i gjeopolitikës” ka mbledhur në Tiranë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nga rajoni për të diskutuar mbi sfidat e sigurisë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.