Kushëriri i viktimave Gjokë dhe Eduard Gurra, është marrë në pyetje nga policia e Shkodrës. Ai i ka treguar hetuesve të policisë për atë që kishte ndodhur nga mesdita e 29 korrik e deri në vijim kur ka dëgjuar të shtënat me armë.
Sipas dëshmisë së dhënë, banesa e Gjokë Gurrës nuk është djegur një ditë më parë. Flakët e zjarrit dhe tymi janë parë prej tij në çatinë e shtëpisë rreth orës 12:00 të mesditës së 29 korrikut. Sapo ka konstatuar zjarrin, ai ka telefonuar mikun e tij, Gjokë Gurrën, që ndodhej në Shkodër, duke i treguar këtij të fundit se shtëpia po i digjej nga zjarri.
Pas këtij njoftimi, Gurra i ka kërkuar kushëririt që të mundohej të fikte zjarrin, dhe se ka dyshuar se shkak për rënien e flakëve në banesën e tij, mund të jenë bërë dy panelet diellore që ai kishte vendosur mbi çatinë e shtëpisë. Nisur nga kjo situatë, Gjoka së bashku me djalin e tij Eduard Gurra, me një mjet foristradë kanë udhëtuar drejt fshatit të origjinës, me shpresën e shuarjes së zjarrit.
Por në dëshminë e kushëririt të tyre, ai ka pohuar se teksa mundohej të shuante zjarrin, ka dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri, që erdhën nga ana e hyrjes së fshatit Sumë. Ka braktisur punën në shtëpinë që po digjej dhe është nisur drejt zonës, nga erdhën të shtënat me armë. Siç tregon A. Gurra, një veprim të tillë e kishte kryer pasi ishte bërë kurioz se çfarë mund të kishte ndodhur dhe kush kishte qëlluar disa herë me armë.
Kur ka kaluar kthesën, ka vënë re se makina e kushërinjve të tij ishte e qëndruar në mes të rrugës dhe brenda saj, ndodheshin të gjakosur Gjokë dhe Eduard Gurra. Menjëherë kushëriri i viktimave ka marrë në telefon policinë, duke e njoftuar për ngjarjen e rëndë, shkruan Tirananews, përcjell Fol Drejt.