Katër persona, djem të rinj përfunduan në prangat e policisë pasi u kapën në kushtet e flagrancës duke shkëmbyer drogë.
Blutë bëjnë me dije se pas hekurave përfunduan shtetasit “B. D., 34 vjeç dhe R. K., 38 vjeç, banues në Kurjan; I. G., 30 vjeç dhe K. G., 24 vjeç, banues në Dërmënas”.
“Janë kapur gjatë operacionit, në fshatin Fermë Çlirim, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike”, bëri me dije policia e Fierit.
Ndërkohë që janë sekuestruar 1 armë gjahu, municion luftarak, 1.3 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, shuma 100.000 lekë të rinj me të cilën do blihej lënda narkotike, 3 automjete, 7 aparate celulare dhe 2300 euro që u gjetën gjatë kontrollit në banesat e shtetasve të arrestuar.
Po gjatë operacionit, Policia bllokoi dhe dy armë zjarri pistoleta, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin L. G., 29 vjeç, banues në Dërmënas, pasi gjatë kontrollit të banesës iu gjet një armë gjahu.
Policia po heton për persona të tjerë që dyshohet të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale./FolDrejt/