Kosovarët janë shqetësuar nga një mesazh i cili iu ka ardhur në telefonët e tyre, ku thuhej se grupi i tyre i gjakut është i rrezikuar të preket nga virusi COVID-19. Por, institucionet e rendit i kanë rënë në gjurmë personit i cili e ka dërguar këtë mesazh
“Jeni i ftuar që të bëni analizat në QKUK, sepse Grupi i gjakut tuaj është shumë i prekur nga ky virus. Ftoheni nesër në ora 09:00 të jeni në QKUK. Gjitha të mirat”, thuhet në mesazhin që iu është dërguar qytetarëve.
Por, policia tashmë i ka rënë në gjurmë personit i cili e ka dërguar këtë mesazh dhe ka përhapur shqetësim tek qytetarët.
Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se pas pranimit të një informacioni nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me një mesazh me përmbajtje dezinformuese, i cili nuk ishte lëshuar nga asnjë institucion shtetëror dhe shëndetësor i Kosovës, është trajtuar dhe hetuar në aspektin policor.
“Policia e Kosovës, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ka ndërmarr veprime të menjëhershme me ç‘rast ka arritur që të identifikoj personin/at të cilët dyshohet se qëndrojnë prapa këtij mesazhi. Ajo çfarë mund të konfirmojmë është se ky mesazh ishte mashtrues, i njëjti është krijuar dhe dërguar tutje fillimisht nga një person, tani i njohur për Policinë e Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.
Po ashtu, policia ka theksuar se në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale rreth këtij rasti.