Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe atë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në lansimin e pagesave elektronike, përmes të cilit synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare, pa prezencë fizike, transmeton Fol Drejt.
Digjitalizimi, si objektiv kyç i programit qeverisës, parashihet të jetë pjesë e gjitha shtyllave në Strategjinë e re Kombëtare për Zhvillim, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se, përmes transformimit digjital, synohet përmirësimi i avancuar i administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes.
“Nëpërmjet zhvillimit të qeverisjes elektronike, synojmë rritjen e transparencës, të llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, u shpreh kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.
Sot u fillua me pilotimin e pagesave elektronike për shërbimet qeveritare që janë një komponent përbërës i rëndësishëm për realizimin e shërbimeve të e-qeverisjes. Qëllimi është që qytetarëve t’iu ofrohet mundësia që shërbimet e iniciuara në mënyrë elektronike në portalin e-Kosova, të mund edhe të përfundohen në mënyrë elektronike brenda portalit qeveritar. Gjatë fazës së pilotimit, pagesat elektronike fillimisht do të aktivizohen për pagesën e tatimit në pronë, si dhe pagesën e gjobave në trafik. Pritet, që së shpejti pagesat elektronike të përdoren edhe për shërbime tjera qeveritare, si vazhdimi i regjistrimit të veturës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar ministra të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati dhe të Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla,
Të nderuar të pranishëm të tjerë,
Digjitalizimi është nga objektivat kyçe të programit tonë qeverisës dhe parashihet të jetë pjesë e gjitha shtyllave në Strategjinë e re Kombëtare për Zhvillim.
Në agjendën digjitale 2030, si agjendë horizontale, në kuadër të kësaj strategjie, jemi duke përcaktuar orientimet strategjike për digjitalizim në të gjithë sektorët e qeverisjes dhe të ekonomisë së vendit tonë.
Ne synojmë të përdorim transformimin digjital, si shtytës për të përmirësuar e avancuar administratën publike, sistemin arsimor, sektorin e shëndetësisë, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes.
Derisa po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët, një nga orientimet kyçe, është të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit.
Nëpërmjet zhvillimit të qeverisjes elektronike, synojmë rritjen e transparencës, të llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Me digjitalizimin e shërbimeve, që është ngushtë i ndërlidhur me reformimin dhe modernizimin e administratës publike, do të krijohen shërbime elektronike, të cilat e kanë në qendër qytetarin.
Me miratimin e ligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksione elektronike është hapur rruga për implementimin e identifikimit elektronik dhe nënshkrimit elektronik. Ky projekt kyç i cili pritet te fillojë së shpejti do të hapë rrugë më tej për ofrimin e shërbimeve të plota elektronike jo vetëm nga qeveria, por edhe nga sektori privat.
Sot po fillojmë me pilotimin e pagesave elektronike për shërbimet qeveritare që janë një komponent përbërës i rëndësishëm për realizimin e shërbimeve të e-qeverisjes. Qëllimi është që qytetarëve t’iu ofrohet mundësia që shërbimet e iniciuara në mënyrë elektronike në portalin e-Kosova, të mund edhe të përfundohen në mënyrë elektronike brenda portalit qeveritar. Në këtë mënyrë synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare nga qytetarët. Pagesat elektronike do të jenë lehtësim edhe për qytetarët tanë nga mërgata për marrjen e shërbimeve qeveritare pa prezencë fizike.
Gjatë fazës së pilotimit, pagesat elektronike fillimisht do të aktivizohen për pagesën e tatimit në pronë si dhe pagesën e gjobave në trafik. Presim që së shpejti pagesat elektronike do të përdoren edhe për shërbime tjera qeveritare si vazhdimi i regjistrimit të veturës.
Më herët gjatë vitit, në kuadër të masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, kemi lansuar shërbimet e aplikimit për pagesa për lehona dhe shtesat për fëmijë si dhe aplikimit për subvencionim të kredisë personale përmes portalit e-Kosova.
Planifikojmë që gjatë muajit janar të bëhet lansimi i certifikatave elektronike të gjendjes civile, duke përfshirë certifikatën e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën e martesës dhe certifikatën e vdekjes. Qytetarët do të kenë mundësi që përmes portalit e-Kosova, pa pagesë të nxjerrin certifikatat elektronike të gjendjes civile që për institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të barasvlefshme me certifikatat që sot nxirren me prani fizike në sportele dhe e-kiosqe.
Qytetarët do të kenë mundësi që përmes portalit e-Kosova, pa pagesë, të nxjerrin certifikatat elektronike të gjendjes civile që për institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të barasvlershme me certifikatat që sot nxjerrën me prani fizike në sportele dhe e-kiosqe. Vitin e ardhshëm do të vazhdojmë edhe me shërbime të tjera elektronike në kuadër të portalit e-Kosova, funksionalizimi i të cilit si dritare qendrore shërbimi për qytetarët është pjesë e programit tonë qeverisës.
Pra, duam që të shumëfishojmë numrin dhe llojin e shërbimeve. Unë ju falënderoj për punën që keni bërë deri më tani dhe për pjesëmarrjen sot./FolDrejt/