Në Amfiteatrin Klinik të Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, u.d. ministrja e Shëndetësisë, dr. Dafina Gexha Bunjaku, dhe u.d. drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, morën pjesë në mbledhjen solemne me rastin e fillimit të misioneve, përkrahur nga ShBA “Gift of Life International” dhe Holanda “Princess Maxima Hospital Holand”.
Dr. Gexha falënderoi dy organizatat për kontributin e tyre në trajtimin e fëmijëve me sëmundje të lindura të zemrës dhe të atyre me sëmundje malinje, duke theksuar se me vite jeni duke shpëtuar dhe ndihmuar shumë fëmijë për të cilët nuk ka qenë i mundur trajtimi i tyre nga ana e profesionistëve tanë, qoftë për shkak të mungesës së kapaciteteve humane apo atyre teknike dhe në këtë mënyrë është plotësuar një hendek i menaxhimit klinik të rasteve, transmeton Fol Drejt.
“Falë humanizmit të secilit nga ju, iu është kthyer buzëqeshja shumë voglushëve në Kosovë, dhe nuk ka dyshim që gjatë kësaj pune humane profesionistët tonë shëndetësorë kanë përfituar nga dituria dhe përvoja e profesionistëve shëndetësorë të ardhur në Kosovë”. Ky angazhim vetëmohues ndërlidhet edhe me ftesën e Ministrise se Shëndetësisë drejtuar profesionistëve shëndetësor nga mërgata dhe jashtë vendit”.
“Ne synojmë që këto kapacitete që ju po na i ofroni, ne do të i orientojmë në përgatitjen profesionale, por edhe në atë menaxheriale të profesionistëve tonë qoftë duke u trajnuar këtu apo edhe në institucionet shëndetësorë jashtë vendit”, tha dr. Gexha.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, falënderoi mjekët nga SHBA dhe Holanda, derisa tha se kontributi i tyre për trajtimin dhe shërimin e fëmijëve me probleme shëndetësore, është shumë i madh- i jashtëzakonshëm.
“Është nder për mua të jem në mes të këtij ekipi, i cili ka dhënë shumë për trajtimin e fëmijëve të sëmurë dhe, gjithashtu, trajnimin e stafit tonë mjekësor. Ne jemi të gatshëm dhe do të angazhohemi maksimalisht që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, në projektet e radhës”, tha Zejnullahu-Raçi
Ky mision ka për qëllim që gjatë këtyre shtate ditëve të trajtoj 28 fëmijë me sëmundjet e lindura te zemrës, diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me sëmundje në Repartin hemato-onkologjik në Pediatri si dhe edukimin e personelit shëndetësor./FolDrejt/