Angazhimi i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe UNKT për zhvillim të qëndrueshëm, ishin në qendër të takimit të dytë të Komitetit Drejtues të Kornizës së Bashkëpunimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm (UNSDCF), për periudhën 2021-2025.
Vizioni i Kosovës për vitin 2030 si objektiv primar, vendos zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, cilësinë e lartë të jetës dhe institucionet efektive, tha kryeministri Kurti në hapje të takimit. Si element thelbësor i këtij vizioni është anëtarësimi në organizatat euro-atlantike, andaj arritja e vizionit për zhvillim të qëndrueshëm e çon përpara procesin e Kosovës për anëtarësim në familjen e Bashkimit Evropian, shtoi ai, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri theksoi se Kosova përmes këtij vizioni synon të mbajë hapin me zhvillimet teknologjike dhe mundësitë që ofron digjitalizimi, të kontribuojë si aktor rajonal dhe më gjerë në agjendën e gjelbër, të sigurojë përfshirje për të gjithë qytetarët e saj dhe të marrë parasysh politikat e migrimit, e në veçanti t’i avancojë marrëdhëniet me diasporën, si pjesë integrale e zhvillimit.
Krahas falënderimit për mbështetjen e agjencive të OKB-së në procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, në takim u theksua rëndësia e vazhdimit me të njëjtën frymë bashkëpunimi, për të arritur vizionin e përbashkët për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ky ishte takimi i dytë i Komitetit Drejtues, organi më i lartë drejtues i UNSDCF 2021-2025, kornizë kjo që artikulon bashkëpunimin e sistemit zhvillimor të OKB-së me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, për arritjen e progresit lidhur me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, në përputhje me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës./FolDrejt/