Dy të rinj, të moshës 18 dhe 19-vjeçare, janë arrestuar nga policia shqiptare pas dyshimeve se të njëjtit kanë shpërndarë lëndë narkotike.
Siç bëhet me dije nga policia shqiptare, janë sekuestruar dhjetëra doza lëndë narkotike e llojit kanabis, bërë gati për shitje.
Tutje bëhet e ditur se materialet procedural i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme./FolDrejt/
Njoftimi i policisë
Mat / Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Xibri”.Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që e ushtronin këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen dhjetëra doza lënde të dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbështetur dhe nga inteligjenca informative se 2 shtetas shpërndanin lëndë narkotike në doza, në qytetet e Burrelit dhe Klosit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Postën e Policisë Klos, kanë finalizuar operacionin policor antidrogë, të koduar “Xibri”.
Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor “Rruga e Arbrit”, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Ll., 19 vjeç, banues në Klos dhe E. K., 18 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, shërbimet e Policisë iu gjetën dhe iu sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndarë në dhjetëra doza, gati për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme.