Të ashtuquajturat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Republikës së Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Në mbledhjen e mbajtur sot nga Kabineti i Qeverisë Kurti, ndër të tjera, ra në sy edhe ky vendim, për të cilin, jo i gjithë kabineti ishte dakord.
Më saktë, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kundërshtuar që “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste, duke e cilësuar vendimin, si të nxituar.
Kur propozimi u hodh në votim, Rashiqi ishte i vetmi nga kabineti që votoi kundër, duke thënë se vendimi mund të ishte i nxituar:
“Disa propozime janë të ngutura dhe mendoj se duhet të ecim me shumë kujdes. Me respekt ndaj jush ministër, ju jeni punëtor. Ju lus që nëse ka mundësi sërish të mendoni që edhe një herë të shohim këtë propozim dhe vendim, sepse frikësohem se do të ndahemi nga bashkëbiseduesit tanë në veri. Qasja e tillë do të na largoj shumë”, tha Rashiq.
Por sugjerimi i Rashicit, nuk ka hasur në mirëkuptim.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë se “vendimi nuk prek askënd i cili deri në momentin e shpalljes së organizatave terroriste ka qenë pjesë e këtyre organizatave e nuk ka kryer vepra penale tashmë.”
Sveçla këtë vendim e ka cilësuar si krucial, për momentin./FolDrejt/