Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, të cilin e ka uruar për rizgjedhjen.
Osmani tha se është e rëndësishme që u sigurua vazhdimësia e përfaqësimit të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe se Kamberi do të jetë zëri artikulues i kërkesave të shqiptarëve.
Ajo theksoi se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar e ka ngritur shqetësimin për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, dhe se duhet thelluar përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve.
Sipas Osmanit, është i rëndësishëm koordinimi i institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për t’i adresuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me pozitën e tyre.
Nga ana e tij, deputeti Kamberi falënderoi presidenten, e cila sipas tij, vazhdimisht ka folur për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit./21Media