Lideri i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, ka tregur se cilat ishin kërkesat e tij në takimin konsultues me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Ai, përmes një postimi në Facebook, tha se ka kërkuar integrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet publike dhe shtetërore.
Kamberi ka kërkuar po ashtu ndërprerjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, ndryshim të ligjeve për minoritetet, zbatim të marrëveshjeves për Luginën dhe të tjera.
“Zbatim të marrëveshjeve për Luginën, ndryshim të ligjeve për minoritetet dhe fond për zhvillim” ishin kërkesat që, sot, në emër të Koalicionit të shqiptarëve të Luginës ia dorëzuam presidentit të Republikës së Serbisë”.
“Nuk është prioritet i joni participimi në qeveri, por, integrimi ne institucionet publike dhe shtetërore në nivel lokal e regjional, ndërprerja e pasivizimit, fondi zhvillimor për Luginën, ndryshimi i Ligjit për flamurin ishin pikat që potencuam në takimin e sotëm. Pjesëmarrja në qeveri, derisa nuk jemi të integruar në nivel lokal e regjional, është koncept politik që nuk është prioritet i Koalicionit të shqiptarëve të Luginës”, ka shkruar ai.
Përfaqësuesit e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës në krye me Shaip Kamberin ishin të parët që shkuan në konsultimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kandidatin për kryeministër.