Qeveria amerikane do të dërgojë delegacionin e parë të nivelit të lartë në Kinë që kur presidentët e dy vendeve, Joseph Biden dhe Xi Jinping, u zotuan në Bali muajin e kaluar për të punuar për shkrirjen e marrëdhënieve.
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësor, Daniel Krittenbrink, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Kinën dhe Tajvanin, Laura Rosenberg, do të jenë në Kinë nga 11 deri më 14 dhjetor, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Ata do të vizitojnë Kinën, Korenë e Jugut dhe Japoninë. Në Kinë, misioni i Krittenbrink do të jetë fillimi i përmbushjes së një premtimi të bërë nga Biden pas takimit me Xi Jinping në margjinat e samitit të G20 në Bali në mes të nëntorit.
Të dy udhëheqësit më pas premtuan se do të vazhdojnë të menaxhojnë konkurrencën e dy vendeve të tyre në një mënyrë të përgjegjshme dhe të eksplorojnë fushat e mundshme për bashkëpunim, tha Departamenti i Shtetit.
Biden dhe Xi Jinping diskutuan gjithashtu çështjet e fundit të mosmarrëveshjeve, të tilla si e ardhmja e Tajvanit, kufizimet e SHBA në importin e produkteve të teknologjisë kineze ose ndikimi i Kinës në mbarë botën.
Daniel Krittenbrink do të përgatisë edhe vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, e planifikuar për në fillim të vitit 2023, e cila do të jetë vizita e parë e një diplomati të shquar amerikan në Kinë në katër vitet e fundit./FolDrejt/