Kryesuesi në detyrë, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, Ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau, Ministri i Jashtëm Finlandez Pekka Haavisto — dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Helga Maria Schmid, Presidentja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Margareta Cederfelt dhe Sekretari i Përgjithshëm Roberto Montella kanë bërë thirrje që Rusia të ndalojë luftën e saj kundër Ukrainës. Kështu thuhet në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, transmeton Ukrinform, përcjell FolDrejt.
“Sot ne shënojmë një vit që kur populli i Ukrainës u detyrua të qëndrojë i fortë kundër luftës së paligjshme, të pajustifikueshme dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë në vendin e tyre. Qëndrueshmëria dhe guximi i tyre përballë shkatërrimit të paimagjinueshëm dhe të pakuptimtë është thellësisht frymëzues”, thuhet në deklaratë.
Aty thuhet se kjo luftë është një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin evropian dhe global. “Është një tragjedi e madhe njerëzore. Është thelbësore të sigurohet përgjegjësia për shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar ndërkombëtar. Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha shkeljet e ligjit ndërkombëtar,” thanë krerët e OSBE.
Ata theksuan se është e nevojshme të sigurohet se “nuk ka mosndëshkim për krimet ndërkombëtare të kryera në dhe kundër Ukrainës, përfshirë krimet e luftës dhe krimin e agresionit të kryer në Ukrainë” dhe “autoret e tij duhet të ndiqen penalisht përpara gjykatës përkatëse”.
“Mesazhi ynë sot është i qartë: agresioni i Rusisë duhet të ndalet. Rusia duhet t’i japë fund shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, si dhe të parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së,” thanë krerët e OSBE-së.
Ata ripohuan se qëndrojnë pranë Ukrainës në kohën e saj të nevojës dhe mbështesin plotësisht “sovranitetin dhe integritetin e saj territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe njohin të drejtën e saj të natyrshme për vetëmbrojtje”.
“Ne përsërisim kërkesën tonë që Rusia të ndalojë menjëherë luftën e saj dhe të tërhiqet plotësisht dhe pa kushte nga Ukraina”, thuhet në deklaratë. /FolDrejt/