Sipas çiklistes Nathalie Schneitter, ky rajon dikur ka qenë ashpër i vëzhguar nga forcat policore, kurse sot mund të kalohet lehtë nga një vend në një vend tjetër, duke shikuar gjurmët e së kaluarës – disa bunkerë dhe posta policore të lënë në mëshirën e fatit.
Pasi ata kanë vizituar qytetin më hijeshi osmane Prizrenin, më pas janë nisur drejt Dragashit, Restelicës dhe më tutje janë ngjitur drejt rrugëve gjarpëruese dhe paasfalt në trekëndëshin kufitar Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore, duke anuar djathtas për në Shqipëri, ku kanë parë bunkerët e zbrazur dhe disa fshatra që përkundër varfërisë së dukshme, shfaqin zemër dhe mikpritje shembullore.
“Pranë trekëndëshit kufitar herëkurdo shihje persona që mblidhnin boronica. Por aty pamë edhe një Mercedes. Po, ishte mercedes. Si ishte ngjitur një mercedes në atë vend, për ne po mbetet mister akoma,” shkruajnë çiklistët gjermanë.
Ata kanë ndaluar në fshatin Fshat, te bujtina Shtini në Shqipëri.
“Në këtë fshat natyra ishte sikur në Gjermani përpara 100 vjetësh. E paprekur, e bukur dhe e ashpër. Aty pimë kafe turke me banorët që ishin të gëzuar të kenë kontakt me të huajt. Te shqiptarët vlen një thënie se shtëpia i takon Zotit dhe mikut,” shkruajnë më tutje të apasionuar turistët gjermanë.
Prej në malet e Sharit dhe Korabit, çiklistët gjermanë ishin nisur drejt Tiranës dhe Durrësit. Për redaksinë e foldrejt.com, mbetet një mister, sesi gjermanët kanë kaluar kufirin pa postë kufitare! Ose ai kufi është i ndaluar vetëm për banorët që jetojnë në ato anë….!
“Kush kërkon një aventurë, këtë ta dhuron Shqipëria. Ne na ka pëlqyer shumë”, shkruajnë në fund çiklistët gjermanë.
Në kohën kur shtetet ballkanike vuajnë nga kontrollet kufitare dhe shumë vende spektakulare mbesin të pazbuluara ose eksploruara si pasojë e barrierave administrative shtetërore, janë turistët gjermanë që shijojnë këto bukuri që na takojnë neve. Por ata kanë marrë leje për kalimin “ilegal” të kufirit Kosovë/Maqedoni Veriore/Shqipëri?
Gjithsesi, përpara se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shijojmë bukuritë natyrore që na rrethojnë….