UEFA ishte në pritje të të gjitha raporteve nga arbitrat dhe delegatët dhe dy ditë pas finales së Ligës së Evropës vendosi të nisë procedimin ndaj trajnerit të Romës, Jose Mourinho. Hetimet kanë nisur edhe ndaj Sevillas dhe Romës.
Mourinho u zemërua për shkak të humbjes së skuadrës së tij, ndaj pas finales, priti arbitrin Anthony Taylor në parking dhe i dërgoi një sërë ofendimesh.
Mourinho u akuzua në bazë të nenit 55 të Kodit Disiplinor të UEFA-s dhe ndaj tij u nisën procedime disiplinore për gjuhë ofenduese dhe të papranueshme dhe fyerje të drejtuara ndaj një zyrtari.
UEFA gjithashtu nisi hetimet kundër të dy klubeve.
Sa i përket Sevillas, ata janë nën hetim për daljen e tifozëve në fushë, hedhjen e gjësendëve në fushë, përdorimin e fishekzjarreve dhe sjelljen e papërshtatshme të ekipit.
Roma është nën hetim për hedhjen e gjësendëve në fushë, përdorimin e fishekzjarrëve, shkatërrimin e pronës, tërbimin e tifozëve, sjelljen e papërshtatshme të ekipit, transmeton Fol Drejt.