UEFA ka njoftuar se do t’u kthejë tifozëve të Liverpoolit koston e biletave për finalen e Ligës së Kampionëve të vitit të kaluar në Paris.
Bashkimi Evropian i Futbollit (UEFA) do të rimbursojë të gjithë tifozët e Liverpool-it që kishin bileta për finalen e Ligës së Kampionëve të vitit të kaluar në Paris. Ky vendim, i cili do t’i kushtojë miliona euro UEFA-së, është vetëm një konfirmim i vendimit të panelit të pavarur se UEFA, si organizatore e ndeshjes, është e vetmja fajtore për atë që ka ndodhur para dhe pas ndeshjes.
“Ne kemi marrë parasysh qëndrimet dhe deklaratat e shumta, të shprehura publikisht dhe privatisht dhe besojmë se kemi gjetur një mënyrë të pranueshme dhe të drejtë për zgjidhjen e kësaj situate. Ne vlerësojmë ndihmën e organizatave të mbështetësve të Liverpool-it, si dhe dialogun e hapur dhe transparent që është zhvilluar gjatë kësaj periudhe. Ne i kuptojmë përvojat negative të tifozëve që nga ajo ditë dhe kemi vendosur të rimbursojmë të gjithë tifozët që blenë bileta dhe që u prekën më shumë nga e gjithë ngjarja para stadiumit”, thuhet në një deklaratë të UEFA-së.
Kështu, UEFA do të kthejë paratë për 19618 bileta. Tifozët kanë paguar rreth 70 euro për biletat më të lira, dhe më e shtrenjta kushton 690 euro. Përafërsisht, rimbursimi i UEFA-së do të kushtojë rreth tre milionë euro.
Një komision i pavarur zbuloi muajin e kaluar se UEFA mbante përgjegjësinë kryesore për kaosin që pasoi përpara finales, ku përfshiu policinë dhe sigurinë, pasi tifozët e klubit anglez nuk e dinin se kishin blerë bileta të falsifikuara, transmeton Fol Drejt.