Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se uji në Rripin e Gazës ka mbaruar dhe se familjet dhe fëmijët janë të detyruar të përdorin ujërat e ndotur nëpër puse.
Në një deklaratë nga platforma X e UNICEF-it thuhet se “Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në mënyrë që ndihmat të mund të arrijnë tek familjet dhe fëmijët në Gaza pa pengesë”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) dje përgënjeshtroi lajmet lidhur me hyrjen e karburantit në Gaza. Edhe një zyrtar tjetër nga UNRWA vuri në dukje se as karburant, as ushqim dhe as ujë nuk ka hyrë në Gaza që nga 7 tetori dhe se asnjë furnizim nuk ka hyrë në qytet.
– Konflikti Izraeli-Palestinë
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emëruar “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit.
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza, përfshirë 299 ushtarë kanë humbur jetën 1.309 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.968 të tjerë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.778 palestinezë ndërsa janë plagosur 10 mijë të tjerë. Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 59 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë.
Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 11 gazetarë.
Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milicë të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 3 ushtarë izraelitë./FolDrejt/