Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues lidhur me veprën penale krim i organizuar ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, ndërsa aktgjykim dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit.
Ata ngarkoheshin se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material, i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve në këtë rast, u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku.
Gjykatësja Dërmaku tha se të akuzuarit Ukë Rugova, Izet Beqiri, Astrit Haraqija dhe Qefser Baholli, konform nenit 363, pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, lirohen nga akuza në pikën 1, 2, 4 dhe 5, pasi nuk u provua se kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar” nga neni 383, par.2 lidhur me veprën penale “Kontrabandim me migrantë” nga neni 170, par.1 dhe 2 të Kodit Penal.
Sipas aktgjykimit, për Ukë Rugovën gjykata ka bërë ricilësimin nga paragrafi 2 në paragrafin 1 për veprën penale armëmbajtje pa leje, pasi që të njëjtin e gjeti përgjegjës për posedimin e dy revoleve.
Kurse, edhe Izet Beqirin dhe Qefser Bahollin i gjeti përgjegjës për armëmbajtje pa leje.
Ndaj Ukë Rugovës, gjykata shpalli dënim me gjobë në shumën prej 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje, kurse ndaj Beqirit dhe Bahollit, dënim me gjobë për secilin veç e veç nga 3 mijë e 500 euro, për të njëjtën vepër penale.
Kurse, për Florjan Petanin është refuzuar akuza, pasi që Prokuroria Speciale ka hequr dorë nga ndjekja penale.
Gjykatësja Dërmaku tha se ankesa ndaj aktgjykimit, sipas Kodit të ri është 30 ditë, raporton Betimi për Drejtësi.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkonte Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014, ka menaxhuar një grup kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit./BetimiPërDrejtësi/