Ukraina ka filluar që të pranojë dërgesa me raketa kundër anijeve, Harpoon, nga Danimarka dhe obusë nga Shtetet e Bashkuara, tha ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov.
“Mbrojtja detare e shtetit tonë do të forcohet nga raketat Harpoon – ato do të përdoren nga ekipet e trajnuara ukrainase”, tha ai më 28 maj.
Ministri Reznikov tha se këto raketa do të përdoren përkrahë raketave ukrainase Neptun, për të mbrojtur Detin e Zi, përfshirë edhe qytetin-port, Odesa.
Raketat Harpoon besohet se shmangin sistemet e radarëve. Ato mund të hidhen nga anijet, nëndetëset, avionët apo edhe nga ekipet përgjatë vijës bregdetare.
Rusia ka bllokuar portet ukrainase, duke ndërprerë eksportet vitale të drithërave dhe ka përdorur flotën e Detit të Zi për të kryer sulme me raketa ndaj qyteteve ukrainase.
Reznikov tha se Ukraina po ashtu ka pranuar dërgesa të artilerisë së rëndë, përfshirë edhe një model të modifikuar amerikan të obusëve M109, që do të lejojë ushtrinë ukrainase të godasë objektiva nga distanca më të largëta.
Ukraina dëshiron që të pranojë dërgesa të raketahedhësve me rreze të gjatë veprimi M270 nga SHBA-ja, për të forcuar mbrojtjen në lindje, ku Rusia po zhvillon një ofensivë agresive dhe ka përqendruar fuqinë e saj ushtarake në atë pjesë, teksa dështoi që të marrë kontrollin e Kievit pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt./REL/