Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Ukraina do të marrë ftesën e anëtarësimit kur aleatët të bien dakord dhe kur të plotësohen kushtet, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Komentet e shefit të NATO-s erdhën pas një takimi të Këshillit të Atlantikut të Veriut, i cili nisi samitin dyditor të NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius.
“Ne do të lëshojmë një ftesë për Ukrainën që të bashkohet me NATO-n kur aleatët të bien dakord dhe kur të plotësohen kushtet”, tha Stoltenberg në një konferencë për media.
Stoltenberg tha se aleatët hoqën kërkesën e një plani veprimi anëtarësimi për Kievin.
“Kjo do të ndryshojë rrugën e anëtarësimit të Ukrainës nga një proces me dy hapa në një proces me një hap”, shtoi ai.
Stoltenberg gjithashtu njoftoi një program shumëvjeçar të ndihmës për Ukrainën dhe Këshillin NATO-Ukrainë, takimi inaugurues i të cilit do të mbahet nesër me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Në një postim në tëitter, Stoltenberg tha se aleatët morën vendime kyçe në një moment kritik për sigurinë.
“Ne ramë dakord për një paketë për të forcuar Ukrainën dhe për të ofruar një rrugë të qartë drejt NATO-s. Ne gjithashtu miratuam planet tona më gjithëpërfshirëse të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë, mbshtetur nga një angazhim i qëndrueshëm për të investuar më shumë në mbrojtje”, shkroi ai.
Më herët, para se të nisej për në Vilnius, presidenti Zelenskyy tha se do të ishte “absurde” nëse liderët e NATO-s nuk do t’i ofronin vendit të tij një afat kohor për anëtarësim./FolDrejt/