Përfaqësuesi i Përhershëm i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, pohoi se Rusia edhe një herë ka dëshmuar se është shtet terrorist.
Kyslytsya mbajti një fjalim në një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku është trajtuar aneksimi i një pjese të Ukrainës nga Rusia, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai dënoi sulmin e forcave ruse ndaj qyteteve Ukrainase ku humbën jetën 19 persona ndërsa u plagosën 105 të tjerë. “E gjithë bota, pa edhe një herë fytyrën e vërtetë të shtetit terrorist që vrau popullin tonë”, tha ai.
Kyslytsya tha se shënjestrimi i civilëve është krim lufte duke shtuar se: “Rusia, duke gjuajtur raketa ndaj njerëzve që flejnë në shtëpitë e tyre, që kanë dalë nëpër rruga për të shkuar në punë ose në shkolla, edhe një herë ka dëshmuar se është një shtet terrorist që duhet sa më fuqishëm të parandalohet”.
Duke vënë në dukje se aneksimi i Rusisë do të thotë një kërcënim ekzistencial për OKB-në, Kyslytsya i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbrojë Kushtetutën e OKB-së.
Ai pohoi se OKB-ja është në pikën e ruajtjes ose humbjes së besueshmërisë duke theksuar: “Kur delegati rus i OKB-së hyri në Asamblenë e Përgjithshme, ata lanë një gjurmë gjaku pas tyre dhe salla u mbush me erë gjaku”.
Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, duke theksuar se mbledhja është tepër e politizuar, pretendoi se akuzat ishin bërë për të forcuar retorikën anti-ruse.
Asambleja e Përgjithshme këtë javë pritet të diskutojë mbi aneksiminin e disa rajoneve ukrainase dhe të votojë projektrezolutën për këtë çështje.
Kërkesa e Rusisë për një votim të fshehtë në Asamblenë e Përgjithshme u refuzua me shumicë votash./FolDrejt/