fbpx
E premte, 22 Nëntor, 2024

Ukraina i kërkon Serbisë ekstradimin e këtij personi

Lexoni edhe..

Ukraina i ka dërguar një kërkesë Serbisë për ekstradimin e Andriy Naumov, ish-drejtorit të Drejtorisë kryesore të Sigurisë së Brendshme të SBU-s, i cili dyshohet nga Ukraina për tradhti dhe që ka ndihmuar trupat ruse për kapjen e termocentralit bërthamor të Çernobilit.

“Gjykata e qytetit të Nishit po shqyrton rastin e shtetasit ukrainas, Andriy Naumov, në bazë të një kërkese për ekstradim në Ukrainë”, tha sekretari i shtypit i gjykatës në një përgjigje me shkrim ndaj një kërkese të BBC News Serbia.

Naumov, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyi e quajti tradhtar dhe ia hoqi gradën gjeneral brigade, u largua nga vendi më 23 shkurt, disa orë para fillimit të pushtimit rus, transmeton Telegrafi.

Byroja Shtetërore e Hetimeve të Ukrainës raportoi se Andriy Naumov mund të mblidhte dhe transferonte në shërbimet speciale ruse të dhëna që përbëjnë një sekret shtetëror, veçanërisht në lidhje me sistemet e sigurisë të zonës së përjashtimit të Termocentralit Bërthamor të Çernobilit.

Para se t’i bashkohej SBU-s, Andriy Naumov drejtoi ndërmarrjen shtetërore “Qendra për Mbështetjen Organizative, Teknike dhe Informative të Menaxhimit të Zonës së Përjashtimit”. Ai është i përfshirë në një sërë hetimesh gazetareske për importet kontrabandë dhe skemat e korrupsionit në dogana. Edhe si kreu i Departamentit Kryesor të Sigurisë së Brendshme të SBU-s, ai u shfaq në hetimin e gazetarëve të “Skemës” për blerjen e pronave elitare, e cila nuk është e krahasueshme me të ardhurat zyrtare të një nëpunësi civil.

Në fillim të qershorit, Naumov u ndalua në pikën kufitare midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në pronësi të tij policia gjeti fonde të padeklaruara: më shumë se 600 mijë euro dhe rreth 125 mijë dollarë para të gatshme, si dhe bizhuteri.

Me të në makinë ishte edhe biznesmeni ukrainas dhe shtetasi gjerman Oleksandr Akst, i cili gjithashtu u ndalua. Naumov dhe Akst ndodhen në qendrën e paraburgimit të qytetit të Nishit, të akuzuar për pastrim parash.

Arsyet për ekstradim

Nuk dihet që Kievi tregoi arsyen e ekstradimit të Naumov, sepse në seancën e parë, e cila u zhvillua më 19 tetor, peticioni i Ukrainës nuk u lexua, tha avokatja e Naumov, Tanya Savych për BBC.

Takimi u shty për shkak se Naumov kërkoi një përkthyes në gjuhën ukrainase, shton ajo.

“Ne ende nuk e dimë zyrtarisht nëse ekstradimi kërkohet në bazë të ndonjë krimi të përgjithshëm, apo nëse është tradhti, siç e ka përmendur disa herë presidenti i Ukrainës”, thotë Savych.

Ndërkohë, një burim në shërbimet speciale të Ukrainës tha për BBC se një kërkesë për ekstradimin e Naumov ishte dërguar në Serbi në shtator.

Savich thotë se klienti i saj deklaroi në gjykatë se kishte frikë për jetën e tij në rast ekstradimi në Ukrainë.

“Në vitin 2020 është bërë një tentativë ndaj tij dhe kemi një vendim gjykate ndaj personit që e ka kryer.

“Ekziston dyshimi se liderët janë tani në qarqet më të larta presidenciale. Ai thotë: nëse ekstradohet, do të jetë dënimi i tij me vdekje”, pohon Savych.

Një burim në shërbimet speciale të Ukrainës raportoi se po kërkohet ekstradimi me dyshimin për korrupsion.

“Arsyeja është korrupsioni, përvetësimi i fondeve shtetërore. Në këtë mënyrë ka më shumë gjasa që të kthehen”, shpjegon burimi.

Marrëveshja për bashkëpunim ndërkombëtar në çështjet penale, e cila rregullon çështjen e ekstradimit, është në fuqi ndërmjet Ukrainës dhe Serbisë.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë, e cila është përgjegjëse për ekstradimin e shtetasve të huaj, nuk i ishte përgjigjur pyetjeve të BBC-së në lidhje me kërkesën për ekstradim të Naumov në kohën e publikimit.

Nuk ka pasur përgjigje as nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila është përgjegjëse për komunikimin me organet shtetërore të vendeve të tjera./Telegrafi/

Të ngjajshme