Ukraina ka bërë thirrje për një takim me Rusinë dhe anëtarë të tjerë të një grupi kyç të sigurisë evropiane lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në kufirin e saj.
Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se Rusia kishte injoruar kërkesat zyrtare për të shpjeguar ngritjen e trupave.
Ai tha se “hapi tjetër” ishte të kërkohej një takim brenda 48 orëve të ardhshme për “transparencë” në lidhje me planet e Rusisë.
Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i rreth 100 mijë ushtarëve në kufijtë e Ukrainës.
Kuleba tha se Ukraina kishte kërkuar, të premten, përgjigje nga Rusia sipas rregullave të Dokumentit të Vjenës, një marrëveshje për çështjet e sigurisë të miratuar nga anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila përfshin Rusinë.
“Nëse Rusia është serioze kur flet për pandashmërinë e sigurisë në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbushë angazhimin e saj për transparencën ushtarake në mënyrë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe të rrisë sigurinë për të gjithë”, tha ai, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv
Disa vende perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet për një pushtim, me ShBA-në që thotë se mund të fillojë me bombardime ajrore “në çdo kohë”.
Më shumë se një duzinë kombe u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina dhe disa kanë tërhequr stafin e ambasadës nga kryeqyteti, përfshirë SHBA-në.
Por presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili kritikoi “panikun” që mund të përhapet nga pretendime të tilla, tha se nuk kishte asnjë provë që Rusia po planifikonte një pushtim në ditët në vijim.
Të dielën, presidenti Zelensky foli për gati një orë në telefon me presidentin amerikan Joe Biden. Shtëpia e Bardhë tha se Biden përsëriti mbështetjen e ShBA-së për Ukrainën dhe se të dy udhëheqësit kishin rënë dakord për “rëndësinë e vazhdimit të ndjekjes së diplomacisë dhe parandalimit”.