Ukraina po përpiqet të sigurojë rihapjen e tranzitit të ushqimit dhe drithërave përmes Polonisë si një “hap të parë”, njofton Sky News, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë, ministri i Bujqësisë i Ukrainës, Mykola Solsky, tha se Kievi do të synojë të sigurojë rihapjen e tranzitit pasi Polonia dhe Hungaria njoftuan ndalimin e disa importeve nga Ukraina.
Ai tha gjithashtu se do të ketë bisedime shtesë këtë javë në Rumani të mërkurën dhe në Sllovaki të enjten.
“Hapi i parë, sipas nesh, duhet të jetë hapja e tranzitit, sepse është mjaft e rëndësishme dhe është gjëja që duhet bërë pa kushte dhe pas kësaj do të flasim për gjëra të tjera”, tha ai.
Disa porte të Detit të Zi u bllokuan pasi pushtimi rus i Ukrainës filloi në shkurt të vitit të kaluar dhe sasi të mëdha drithi ukrainas – që është më e lirë se ajo e prodhuar në BE – përfunduan duke qëndruar në vendet e Evropës Qendrore për shkak të pengesave logjistike.
Kjo goditi çmimet dhe shitjet për fermerët vendas, duke ushtruar presion mbi qeveritë që i ishin drejtuar BE-së për veprim përpara se Varshava dhe Budapesti të merrnin vendimet e tyre gjatë fundjavës.
Ndalimi i Polonisë për drithërat zbatohej edhe për tranzitin përmes vendit.
Zyrtarët kanë thënë se synohet të pengojë hyrjen e transportit të grurit në tregun polak./FolDrejt/