Ukraina pretendoi se Moska ka zëvendësuar forca të grupit paraushtarak Wagner në qytetin Bakhmut në lindje të Ukrainës me “njësi të rregullta të ushtrisë”.
“Në periferi të Bakhmutit, armiku zëvendësoi njësi të Wagnerit me njësi të rregullta të ushtrisë”, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar në një deklaratë në Telegram, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Maliar pohoi gjithashtu se forcat ukrainase kontrollojnë zonën Litak në jugperëndim të qytetit, duke thënë se forcat ruse po përpiqen të ndalojnë përparimet e tyre në krahë dhe po vendosin njësi shtesë në këtë zonë.
Forcat ruse po kryejnë ofensiva në disa drejtime, si Avdiivka, Marinka, Lyman, Kupiansk dhe Bakhmut, pohoi ajo, duke shtuar se ato kanë qenë “të pasuksesshme”.
“Betejat aktualisht po vazhdojnë në Kupiansk. Armiku sulmon, përpiqet të kapë një urë për avancim të mëtejshëm, pëson humbje”, tha ajo.
Forcat ruse janë përpjekur për muaj të tërë për të marrë kontrollin në Bakhmut, një qendër transporti dhe logjistike në rajonin e Donetskut, që është pjesë e rajonit të industrializuar kryesisht rusishtfolës të Donbasit.
Të shtunën e kaluar, Ministria ruse e Mbrojtjes dhe grupi paraushtarak Wagner pretenduan se forcat e tyre morën kontrollin e plotë të qytetit. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i mohoi pretendimet gjatë një konference për shtyp pas samitit më të fundit të G7-s në Japoni./FolDrejt/