Autoritetet ukrainase kanë nisur çmontimin e një monumenti kushtuar miqësisë ruso-ukrainase.
Harku i “Miqësisë së Popujve”, i cili ndodhet në kryeqytetin e Kievit, u vendos në vitin 1982 për të përkujtuar ribashkimin e Ukrainës dhe Rusisë.
E vendosur në një kodër me pamje nga lumi Dnieper, monumenti ikonë përbëhet nga një hark në formë të ylberit, një statujë bronzi që përshkruan punëtorët rusë dhe ukrainas dhe një pllakë prej graniti.
Sot, kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko tha se Rusia po vazhdon që “në mënyrë barbare të shkatërrojë vendin tonë dhe ukrainasit paqësorë”.
Ai tha se çmontimi i strukturës do të përfundojë deri në këtë mbrëmje dhe se harku do të riemërohet.
“Ne po çmontojmë tetë metra metal të të ashtuquajturës “miqësia e dy popujve”, Klitschko shkroi në Twitter.
“Dhe ajo që është simbolike – kur ata u përpoqën të ngrinin skulpturën me një vinç, koka e një punëtori rus u rrëzua”, shtoi ai.
Kryebashkiaku i qytetit vazhdoi të thotë se rreth 60 monumente të tjera që lidhen me Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë do të hiqen dhe mbi 460 rrugë do të riemërohen në të gjithë Kievin.