Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, akuzoi Gjermaninë për bllokimin e shitjes së armëve në vendin e tij përmes Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së për një pushtim të mundshëm rus, transmeton Fol Drejt.
Muajin e kaluar, Gjermania vendosi veto ndaj shitjes së pushkëve kundërajrore dhe sistemeve anti-snajper përmes Agjencisë së Mbështetjes dhe Furnizimit të NATO-s, tha Reznikov në një intervistë për Financial Times, raporton AA.
“Ata vazhdojnë të ndërtojnë gazsjellësin Rrjedha e Veriut 2 dhe në të njëjtën kohë bllokojnë (blerjet) tona të armëve mbrojtëse. Kjo është shumë e padrejtë”, shtoi ai, duke iu referuar gazsjellësit rus që kalon përmes Detit Baltik drejt Gjermanisë.
Reznikov shtoi se duke pasur parasysh hapin e Gjermanisë, Ukraina do të kërkojë të furnizojë armë përmes marrëveshjeve dypalëshe me aleatët e saj, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Lituaninë dhe Francën.
Që nga marsi i vitit 2014, Ukraina është rrënuar nga konflikti në rajonet e saj lindore në kufi me Rusinë pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia.
Vendet perëndimore akuzojnë Rusinë për destabilizimin e rajonit duke ofruar mbështetje ushtarake për separatistët.