Shefja e Shërbimit të Shtypit të Forcave të Mbrojtjes Jugore të Ukrainës, Nataliya Gumenyuk, njoftoi se ushtria ukrainase ka rifituar kontrollin e një sipërfaqeje prej 400 kilometrash katrorë në rajonin Kherson.
Në një deklaratë për luftën e vazhdueshme në vendin e saj, Gumenyuk vlerësoi zhvillimet në lidhje me kundërsulmin e ushtrisë ukrainase në rajonin Kherson, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gumenyuk tha se 400 kilometra katrorë sipërfaqe në rajon tashmë janë nën kontrollin e ushtrisë ukrainase.
“Po, arritjet tona janë mjaft bindëse. Më shumë se 400 kilometra katrorë të zonës së Khersonit janë çliruar nga pushtuesit dhe ne po përparojmë”, theksoi ajo.
Qyteti Zaporizhzhia u godit nga raketat ruse
Në një deklaratë në kanalin zyrtar në Telegram të Administratës Rajonale Ushtarake në Zaporizhzhia, thuhet se si pasojë e një sulmi me raketa sot nga forcat ruse në qytet, tre persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur.
Në deklaratë theksohet se shpërthime të dhunshme kanë ndodhur në Zaporizhzhia si pasojë e sulmit të forcave ruse në qytet me raketa të lëshuara nga sistemi S-300 rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm.
Po ashtu njoftohet se si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar disa banesa dhe shtëpi dhe se vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
“Aktualisht është dhënë informacion për vdekjen e tre personave. 12 shtetas të plagosur, mes tyre një fëmijë, janë dërguar në objektet shëndetësore të qytetit”, thuhet në deklaratë.
“Ushtria ruse ka humbur më shumë se 61 mijë ushtarë”
Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, publikoi një deklaratë me shkrim në lidhje me humbjet e pësuara nga ushtria ruse nga data 24 shkurt deri më 6 tetor.
Në deklaratë thuhet se ushtria ruse ka humbur 330 ushtarë të tjerë në ditën e fundit, me çka numri i përgjithshëm ka arritur në 61.330.
Po ashtu, ushtria ukrainase tha se janë shkatërruar 266 avionë, 232 helikopterë, 2.449 tanke, 5.064 automjete të blinduara, 1.424 topa, 344 raketahedhës dhe 177 sisteme të mbrojtjes ajrore të Rusisë.
Ndërkaq, sipas shifrave të fundit të Ministrisë rusë të Mbrojtjes më 21 shtator, gjatë luftës ruso-ukrainase kanë humbur jetën 5.937 ushtarë rusë./FolDrejt/