Ultimatumit rus për dorëzimin e armëve nuk iu përgjigj as edhe një ushtar i vetëm ukrainas, ndonëse forcat e Moskës vunë në funksion gjithë arsenalin luftarak për të marrë kontrollin e Mariupolit.
Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Oleksiy Arestovych, tha se Mariupoli endë është në kontrollin e ushtrisë ukrainase.
“Mariupol po qëndron. Luftimet po zhvillohen në territorin e fabrikës Azovstal dhe në territore të tjera. Nuk është e lehtë për armikun atje, ata po pësojnë shumë humbje”, deklaroi Arestovych.
Sipas Volodymyr Zelenskit, kjo luftë do të përfundonte shpejt nëse Ukraina do të kishte qasje në armë më të mira.
“Nëse do të kishim akses në të gjitha armët që na nevojiten, të cilat i kanë partnerët tanë dhe të cilat janë të krahasueshme me armët e përdorura nga Federata Ruse, tashmë do ta kishim përfunduar këtë luftë, do të kishim rivendosur paqen”, tha ai.
Më shumë armë për Ukrainën premtoi sot kancelari gjerman, Olaf Sholz, i cili u kritikua ditë më parë nga Zelensky se nuk po ndihmonte në këtë drejtim.
“Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë. Ligji ndërkombëtar duhet të mbizotërojë dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim në mënyrë aktive Ukrainën”, deklaroi kancelari gjerman, Scholz.
Edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, u tha ligjvënësve të tij se lufta do të bëhet një konflikt artilerie”, që do të thotë se Ukraina do të ketë nevojë për më shumë armatim të rëndë.