Portali i pavarur bjellorus Vot-Tak, ka publikuar imazhet e disa dokumenteve që në vete bartin atë që ushtarët rusë i kanë lënë derisa po iknin me shpejtësi nga qyteti ukrainas Izyum.
Dokumentet janë nënshkruar më 30 gusht, pak para kundërofensivës ukrainase në Kharkiv, kurse në to përfshihen brengat e eprorëve për ushtarët të cilët ankoheshin vazhdimisht “për lodhje morale dhe fizike”, transmeton Telegrafi.
Shërbimi Sekret i Ukrainës pretendon se 90 për qind e personelit ushtarak të njësive të motorizuara ruse kanë nënshkruar raportet ku theksohej gjendja e rëndë e personelit.
Njësitë e motorizuara ruse para luftës në Ukrainë janë konsideruar si kryesoret, në rast se do të vinte deri te një luftë të përmasave të gjera mes Rusisë dhe NATO-s.
Letrat tregojnë të gjitha problemet me të cilat përballen ushtarët rusë në Ukrainë – duke filluar nga morali i ulët e deri te lodhja fizike dhe degradimi i aftësisë ushtarake ruse në raport me NATO-n. /Telegrafi/