Forcat ukrainase po planifikojnë një fushatë të gjatë dhe brutale me qëllim që të rimarrin pjesën më të madhe të rajonit të Khersonit të pushtuar nga Rusia deri në fund të vitit, raporton CNN.
Që nga nisja e kundërofensivës javën e kaluar, forcat ukrainase kanë përparuar në jug me sulme ambicioze tokësore, pas sulmeve të vazhdueshme në postet komanduese, depot e municioneve dhe rezervat e karburantit shumë prapa vijave të frontit, sipas gjeolokimit të imazheve video dhe satelitore.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan, SHBA-të e kanë parë Ukrainën të arrijë njëfarë suksesi në sulmin e linjave ruse të furnizimit, me qëllimin për të ndërprerë dhe izoluar trupat ruse të dislokuara aktualisht në perëndim të lumit Dnipro.
Sipas zyrtarëve ukrainas, qëllimi është të merret të paktën i gjithë territori në veri ose në perëndim të lumit Dnipro, duke përfshirë jo vetëm qytetin Kherson, por edhe Nova Kakhovka. Nova Kakhovka strehon një hidrocentral të rëndësishëm si dhe një kanal që furnizon Krimenë me pjesën më të madhe të ujit të saj.
Në të njëjtën kohë, Ukraina ka shtuar sulmet në lindje të vendit në mënyrë që të parandalojë Rusinë që të zhvendosë forcat në jug në përpjekje për të zmbrapsur kundërofensivin ukrainase atje, sipas zyrtarëve amerikanë.
Synimi i Ukrainës për të rimarrë Kherson deri në fund të vitit 2022 është ambicioz, por i mundshëm, thanë zyrtarët amerikanë. /abcnews.al/