Ushtria ukrainase tha se “ngadalë, por sigurt” po rikthen territorin e pushtuar nga forcat ruse “në një prej arterieve më të rëndësishme logjistike” në rajonin pjesërisht të okupuar ukrainas të Luhanskut.
Departamenti për komunikime strategjike i forcave të armatosura të Ukrainës tha përmes Telegramit më 22 shtator se forcat pushtuese ruse “po kalojnë nëpër një moment të keq” afër Lisiçanskut, qytet në rajonin lindor të Luhanskut.
Luhansku, pjesë e rajonit lindor ukrainas të Donbasit dhe njëherësh një prej katër territoreve të kontrolluara nga rusët, ku është paralajmëruar mbajtja e të ashtuquajturave referendume për t’iu bashkuar Rusisë, është pothuajse krejtësisht nën kontrollin e forcave ruse.
Forcat e Kievit në javët e fundit kanë rimarrë territor në lindje, territor që u pushtua nga rusët, pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Serhiy Hayday, guvernator ushtarak ukrainas i rajonit të Luhanskut, tha më 19 shtator se forcat ukrainase kishin çliruar disa fshatra në këtë rajon. Më 21 shtator, Hayday tha se Ukraina ka shkatërruar një zyre komanduese që përdorej nga forcat pushtuese ruse në Svatovo, që gjendet rreth 160 kilometra në verilindje të kryeqytetit rajonal, Luhansk, raporton REL.
Në vende të tjera, forcat ruse dhe ukrainase kanë shkëmbyer zjarr me artileri dhe raketa, që kanë lënë të vrarë të paktën gjashtë persona më 22 shtator.
Sulmet ajrore ruse në qytetin jugor të Zaporizhjës kanë vrarë të paktën një person, thanë zyrtarët ukrainas.
Ndërkaq, zyrtarët në rajonin e Donjeckut, të kontrolluar nga rusët, thanë se granatimet ukrainase kanë shënjestruar kryeqytetin rajonal, Donjeck, duke vrarë pesë persona./tch/