Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës njoftoi të enjten se ka pasur një “ulje të ndjeshme të intensitetit të lëvizjes” të ushtrisë ruse në kufirin me Bjellorusinë.
Duke deklaruar se Rusia ka vazhduar operacionet e saj në rajonet lindore të Ukrainës për të vendosur kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se “sulmet me raketa dhe bomba në infrastrukturën ushtarake dhe civile në të gjithë Ukrainën” po vazhdojnë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Disa njësi të forcave të armatosura bjelloruse vazhdojnë të kryejnë detyra për të mbuluar kufirin Ukrainë-Bjellorusi në rajonet Brest dhe Gomel”, thuhet më tej.
Ushtria ukrainase tha se Rusia “u përpoq të merrte kontrollin e plotë të Mariupolit” dhe se forcat ruse “vazhduan me sulmet ajrore dhe përpjekjet për të sulmuar zonën e portit detar dhe fabrikën e Azovstalit”.
Shtabi i Përgjithshëm theksoi se Rusia pëson “humbje të konsiderueshme në njerëz dhe pajisje ushtarake”.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar, çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.
Të paktën 2.345 civilë e kanë humbur jetën ndërsa 2.919 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas vlerësimeve të OKB-së, por ka shqetësime se shifrat aktuale janë shumë më të larta. Më shumë se 5 milionë ukrainas kanë ikur në vende tjera dhe më shumë se 7 milionë janë të zhvendosur brenda vendit, tha Agjencia e OKB-së për Refugjatët./FolDrejt/