Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurishaj, i ka dhënë qeverisë kohë 72 orë për të reflektuar lidhur me vendimin e marrë për uljen e çmimeve për biletat e transportit ndërurban për autobusë për disa kategori.
Kurtishaj tha se nëse qeveria nuk reflekton brenda kësaj kohe atëherë sipas tij do të ketë protesta, transmeton Fol Drejt.
“Kemi marrë tri vendime. E para ka të bëjë me masën e përkohshme, pra Këshilli Drejtues me anë të një kërkesë-padie, do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës Kushtetuese për shkeljet ligjore dhe për mohimin e të drejtave tona si treg i lirë. Vendimi i dytë ka të bëjë me çështjen që ne po kërkojmë që brenda 72 orësh qeveria ta anulojë këtë vendim, ne presim reflektimin e Qeverisë, anulimin e vendimit në afat prej 72-orësh dhe të ulet këtu në Oden Ekonomike bashkë me Shoqatën dhe të zbatojnë marrëveshjen e shkruar qeverisë dhe shoqatës për subvencionim të transportit rrugor, nëse kjo nuk aprovohet, atëherë vendimi tretë pason që të organizohet protesta apo të vazhdohet protesta sepse e tham që protesta është e pezulluar dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona”.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi, të premtën bëri të ditur se ka marrë vendim që çmimi i biletave të autobusit për disa kategori përgjysmohen nga çmimi aktual.
Në bazë të vendimit, kategoritë që përfitojnë nga përgjysmimi i çmimit të biletës së autobusëve janë fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët.
“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritë që prek më shumë kjo gjendje”, ka shkruar Durimishi.
Sipas tij, kjo çmimore hyn në fuqi menjëherë dhe mbetët e tillë deri në normalizimin e çmimeve të derivateve të natës./FolDrejt/