Të heqësh dorë nga mishi i viçit duke përdorur burime të tjera proteinash, mund të shpëtojë miliona jetë njerëzish dhe të ulë ndjeshëm vëllimin e gazrave me efekt serrë, njoftoi sot Forumi Ekonomik Botëror (WEF).
Një studim i kryer për WEF nga “Oxford Martin School”, një njësi e Universitetit të famshëm britanik vuri në dukje se 2,4% e vdekjeve në botë që lidhen me mënyrën e të ushqyerit, mund të parandalohen duke ulur konsumin e mishit, veçanërisht të mishit të viçit.
Edhe në vendet e pasura, aty ku konsumi i mishit të viçit është i lartë, përqindja e personave të shpëtuar mund të jetë gati me 5%, thekson WEF, i cili mbledh çdo vit në janar personat më të njohur të botës së biznesit në stacionin luksoz të skive në Davos, në lindje të Zvicrës.
Studimi nuk paraqiti shifra për numrin e individëve që vdesin çdo vit nga shkaqet e ushqimit, por WEF bëri të ditur se zëvendësimi i mishit me proteina të tjera mund të parandalojë miliona vdekje të panevojshme në vit.
Përveç kësaj, kërkesa për mish do të vazhdojë të rritet pasi popullsia e botës mund të arrijë në 10 miliardë deri në vitin 2050.
“Do të jetë e pamundur të plotësohet kjo kërkesë”, paralajmëroi Drejtori Ekzekutiv i WEF Dominic Waughray në një deklaratë.