Në Ligën e Parë të Grupit B në futbollin e Kosovës tashmë ka përfunduar sezona vjeshtore. Klubi futbollistik Ulpiana nga Lipjani synon që në sezonën pranverore të vazhdoj me lojëra e rezultate të mira dhe të renditet e para si skuadra kryesuese që kalon në Superligë, shkruan Fol Drejt.
Gëzim Olluri – Fol Drejt
Në sezonën e vjeshtës në Ligën e Parë në Grupin B, Ulpiana është renditur në vendin e dytë me 27 pikë të grumbulluara. Gjatë pjesës së parë të edicionit 2022/2023, Ulpiana ka treguar formë të shkëlqyer duke arritur të tregohet skuadër e fortë në Lipjan dhe kompakte si mysafire.
Nga 14 takime të zhvilluar gjatë sezonës vjeshtore, lipjanasit kanë arritur të marrin tetë fitore e tri barazime, ndërsa kanë humbur tri ndeshje. Nga shtatë takime të luajtura në stadiumin e qytetit “Sami Kelmendi”, Ulpiana ka realizuar gjashtë fitore, duke humbur vetëm një takim.
Së fundi në klubin e Lipjanit kanë debutuar edhe tre talentë të rinj me skuadrën e parë. Bëhet fjalë për Endrit Bytyqin, Hasim Gashin dhe Edonit Gashin. Nga kampi i Ulpianës shprehen optimistë për sezonën pranverore dhe do të përpjeken me të gjitha mundësitë që klubin ta inkuadrojnë në rangun më të lartë të futbollit kosovar në Superligë.
“Prej kur jam emëruar kryetrajner i Ulpianës, objektivi ka qenë ta ndërtojmë një ekip homogjen me futbollistë të rinj dhe që kanë perspektivë. Ka qenë e veshtirë rreth komponimit ekipor sepse kemi filluar prej zeros, duke i mbledhur 25 futbollistë të rinj. Sikurse kryesia e klubit, edhe ne shtabi teknik jemi të kënaqur me suksesin e arritur në tabelë pavarësisht që me angazhim dhe përqendrim më të madh kemi mundur të kemi së paku tri apo katër pikë më shumë”, shprehet trajneri Emin Bajrami.
Trajneri i Ulpianës thotë se atmosfera në klub është e mirë dhe se skuadra është më e rëndësishme se të gjithë. “Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Grupi i lojtarëve është jashtzakonisht i mirë dhe si trajner e kam parim ta ndërtoj një ekip, ku përveç që duhet te jenë futbollistë të mirë, duhet të jenë edhe njerëz të mirë e me sjellje të mira. Të kenë karakter. Përndryshe nëse një lojtar nuk i ka këto tipare, nuk mund të jetë pjesë e grupit. As një futbollist nuk mund të jetë mbi skuadrën sepse skuadra është më e rëndësishme se të gjithë”, thekson trajneri i Ulpianës.
Sa i përket përforcimeve dhe talentëve të rinj, trajneri i Ulpianës për “Fol Drejt” thotë se mund të ketë tri ose katër përforcime dhe që futbollistët e rinj nga Ulpiana premtojnë shumë.
“Sa i përket përforcimeve, do te ketë prurje aty ku kemi mangësi. Besoj do të jenë tri deri në katër përforcime. Si trajner, gjithmonë i kam përkrahur futbollistët e rinj dhe gjithmonë kam pas gëzimin që t’i inkuadroj në lojë pa marrë parasysh moshës. Nëse ka cilësi duhet t’u jepet rasti dhe është në favor të klubit nëse i promovojmë futbollistët e rinj. Leart Prapashtica, Aurel Limani, Endrit Bytyqi Hasim Gashi, Edonit Gashi dhe të tjerë janë futbollistë që kanë shumë elemente të mira dhe pritet të jenë shum perspektiv. Për fund, nuk premtoj, mirëpo premtoj që do të punojmë shumë dhe në fund të kampionatit shpresoj të festojmë së bashku me ultras tigrat hyrjen në Superligë”, përfundon Bajrami që është duke e udhëhequr Ulpianë për në Superligë.
Edhe Shqiprim Kelmendi, ikona e futbollit nga Lipjani është shprehur optimist për inkuadrimin në Superligë. “Prej fillimit sezonal kemi qenë në krye të renditjes dhe kemi bërë punë të mirë. Kjo punë është shpërbly edhe pse jemi në pozitën e dytë dhe sezona pranverore ka shumë lojëra për ta marrë primatin. Stërvitjet do t’i vazhdojmë deri në fund të dhjetorit në mënyrë që të mos ketë rënie të formës te lojtarët. Kryesia e klubit është duke punuar për ndonjë ardhje eventuale në ekip dhe do të jetë e nevojshme”, thotë Kelmendi./FolDrejt/