7 shkurti shënon Ditën Botërore kundër Bullizmit dhe Ngacmimit Kibernetik. Është një datë e rëndësishme, sepse përfaqëson një mundësi për të reflektuar mbi një fenomen që është ende shumë i përhapur. Por në përgjithësi përse urrejmë? Çfarë ndodh në brendësinë tonë, që shkakton një ringjallje të urrejtjes dhe dhunës? Umberto Eko na e shpjegon në një fragment nga romani “Varreza e Pragës”: “I duhet gjithmonë dikush që ta urrejë, për t’u ndjerë i justifikuar në mjerimin e tij”.
Marrëdhënia midis urrejtjes dhe identitetit sipas Ekos
“Tashmë ndjenja e identitetit bazohet në urrejtje, në urrejtje për ata që nuk janë identikë. Urrejtja duhet kultivuar si pasion qytetar, – thotë Eko në “Varreza e Pragës”. – Armiku është miku i popullit. I duhet gjithmonë dikush që ta urrejë, për t’u ndjerë i justifikuar në mjerimin e tij. Urrejtja është pasioni i vërtetë i kahershëm, – vazhdon Umberto Eko. – Është dashuria ajo që është një situatë anormale. Për këtë u vra Krishti: foli kundër natyrës. Nuk duhet dikush për gjithë jetën, sepse nga kjo shpresë e pamundur lind tradhtia bashkëshortore, mëmëvrasja, tradhtia ndaj mikut. Në vend të kësaj, ju mund të urreni dikë për gjithë jetën. Për sa kohë që është gjithmonë aty, për të rindezur urrejtjen tonë. Urrejtja e ngroh zemrën”.
Urrejtja sot
Fjalët e Umberto Ekos na bëjnë edhe sot të reflektojmë për çështje dhe problematika, që prekin si personazhet e njohur, ashtu edhe njerëzit e thjeshtë: pra, urrejtjen që përçohet në rrjetet sociale. Ngacmimi kibernetik është një çështje shumë delikate dhe fatkeqësisht shumë aktuale, ka shumë të ashtuquajtur “luanë të tastierës”, që mendojnë se kanë të drejtë të gjykojnë, shajnë dhe denigrojnë njëri-tjetrin përmes ekranit. Janë situata, ku paragjykimi, injoranca dhe krenaria u japin rolin e padronit. Dhuna verbale, diskriminimi gjinor, racizmi, sharja e trupit, janë të gjitha shembuj se si urrejtja lëviz në ueb pa u kontrolluar. Fatkeqësisht, mediet sociale shpesh bëhen një fushë beteje, kur bëhet fjalë për të shprehur një opinion apo gjykim, gjë që duhet bërë në një mënyrë më pak agresive dhe adekuate. Ju ftojmë të gjithëve të reflektoni mbi këto fjalë.
Për çfarë flet “Varreza e Pragës”.
Protagonisti i romanit është kapiten Simone Simonini, një falsifikator jashtëzakonisht cinik, që jeton në shekullin e 19-të. Romani zhvillohet mes Parisit, Torinos, Munihut dhe Palermos dhe ripunon historinë e Rigjallërimit me të dhëna dhe personazhe që ekzistonin vërtet. Përveç protagonistit, elementi i vetëm fantazi i romanit, Simone Simonini, noter, spiun, falsifikues dhe antisemit i pamëshirshëm. Personazhi i “Varreza e Pragës” është i aftë të falsifikojë çdo lloj dokumenti dhe, për këtë arsye, i dëshiruar dhe i frikësuar nga republikanët, masonët, karbonarët, jezuitët dhe satanistët. Veçoria e Simoninit, që Eko nxjerr më shumë në pah, është pikërisht antisemitizmi i tij. Në të vërtetë, protagonisti i “Varreza e Pragës” e kalon jetën duke shkruar “Protokollet e Pleqve të Sionit”, një dokumentacion qartësisht i rremë dhe i sajuar, në të cilin rindërton një takim të zhvilluar në varrezat e Pragës, mes dymbëdhjetë rabinëve, që bëjnë padronin në komunitetin hebraik. Sipas rindërtimit të rremë të Simoninit, gjatë takimit rabinët duhet të përcaktonin planet për të përmbysur rendin e gjërave dhe për të udhëhequr hebrenjtë për të sunduar botën./Konica.al