Pas debatit të krijuar dhe zhvillimeve që pasuan rreth restaurimit të shtëpisë së politikanit Xhafer Deva, UNDP bashkë me BE-në, kanë pezulluar punimet në lokacion.
Në një deklaratë të lëshuar thuhet se në kontakt me të gjitha palët e përfshira, është duke u rivlerësuar roli dhe kontributi i tyre, përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale për të shqyrtuar të kaluarën përmes diskutimeve, njofton Klankosova.tv.
”UNDP së bashku me BE-në, kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, thuhet mes tjerash.
Tutje në deklaratë thuhet se UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje të sinqertë për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar përmes njoftimit për fillimin e punimeve por duke mos e cekur sfondin historik të Xhafer Devës.
”UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e tyre te shumta, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe fanatizmit ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin, dhe të luftojmë dezinformimin”.