Shifrat për aksesin në arsim mbeten shqetësuese, pasi 244 milionë fëmijë në mbarë botën nuk shkojnë në shkollë. Numri ka qenë në rënie për më shumë se 20 vjet, megjithatë Unesco ende po jep alarmin.
“Askush nuk mund ta pranojë këtë situatë. Arsimi është një e drejtë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të siguruar që kjo e drejtë të respektohet për çdo fëmijë”, tha në një deklaratë drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulet.
Nga 244 milionë fëmijë të moshës 6 deri në 18 vjeç që janë jashtë shkollës, më shumë se 40%, ose 98 milionë, jetojnë në Afrikën Sub-Sahariane, kryesisht në Niger (20.2 milionë), në Etiopi (10.5 milionë), Republikën Demokratike të Kongo (5.9 milionë) dhe Kenia (1.8 milionë), sipas Unesco-s.
Megjithëse më shumë vajza sesa djem ishin jashtë shkollës në vitin 2000 (+2,5% në arsimin fillor dhe +3,9% në arsimin e mesëm), hendeku gjinor ka rënë në zero vuri në dukje agjencia e OKB-së, megjithëse dallimet rajonale mbeten.
Më shumë se 400 milionë fëmijë ishin jashtë shkollës në vitin 2000, sipas UNESCO-s, e cila përshëndeti përparimin që është bërë në këtë çështje gjatë dy dekadave të fundit, megjithëse ritmi është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit. /abcnews.al/