Në kuadër të zhvillimit dhe zgjerimit të programit arsimor, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, tashmë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shumë Universitete të tjera ndërkombëtare.
Por, marrëveshje bashkëpunimi me UP-në, po pretendon që ka edhe Universiteti “MGIMO” në Rusi.
Duke ju referuar të dhënave në faqen zyrtare të këtij Universiteti, thuhet se ka marrëveshje bashkëpunimi me më shumë se 200 parterë të jashtëm në 63 vende të ndryshme të botës.
Ky Universitet ka listuar si partner edhe Universitetin e Prishtinës, duke e listuar atë si Universitet të Serbisë, pranë Universitetit të Beogradit.
Zyrtarë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë reaguar ndaj këtij pretendimi të Universitetit rus “MGIMO”, duke hedhur poshtë pretendimet se kanë bashkëpunim me universitetin në fjalë.
Drejtoresha e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në UP, Lumnije Bajrami ka thënë për Telegrafin se kanë kërkuar sqarim nga Universiteti “MGIMO” se përse e kanë listuar Universitetin e Prishtinës si partner.
“Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk ka asnjë marrëveshje me Universitetin “MGIMO” në Rusi. Për më tepër Universiteti i Prishtinës, i ka shkruar shkresë zyrtare Universitetit “MGIMO” për të kërkuar sqarim se pse ky institucion ka listuar se gjoja ka marrëveshje me Universitetin e Prishtinës, kur kjo nuk qëndron”, ka thënë Bajrami.
Universiteti “MGIMO” (Moscow State Institute of International Relations) është një institucion akademik i udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, i cili njëkohësisht njihet edhe si njëri ndër universitetet më elitare në Rusi.
Maturantët e rinj të cilët pranohen në këtë Universitet, përzgjidhen nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe pasi që diplomojnë, ata orientohen për të punuar në organet qeveritare, ministritë dhe kryesisht nëpër Ambasadat ruse nëpër vende të ndryshme të botës.
Në këtë Universitet mësohet edhe gjuha shqipe, përfshirë edhe gjuhët tjera si ajo bullgare, hungareze, greke, polake, rumune, moldave, serbe, kroate, çeke dhe sllovake.
Ndryshe faqja e MGIMO në raport me Kosovën, përfaqëson politikat më destruktive, ashtu si vet Federata Ruse.