Me ardhjen e kryetarit të ri në qytetin e Dashamirit kishin ndodhur ndryshime të mëdha. Rrugë të reja ishin asfaltuar, shkolla e palestra ishin ndërtuar. Në çdo lagje e në çdo fshat ishte shpërndarë rrjeti i internetit, dhe shumë e shumë ndryshime. Nejse, s’po e vazhdoj më tepër, se nuk është detyrë e imja të lavdërojë e të bëj fushatë për askënd. Mbase ke të drejtë se çfarë po pandeh, u duka si ata militantët, që kur lideri i tyre frymon, ata me krenari do të thonë: ua, e patë, se si mori frymë.
Albin Mehmeti: Tregimi “Ura”
Nuk do të rrëfej për të arriturat e kryetarit të ri dhe as nuk do të luaj rolin e psikologut për militantët partiakë. Sot, do të ndalem në rrëfimin për një urë që shumë prej jush keni dëgjuar e lexuar. Ka shumë ura të tilla, në çdo qytet e rrethinë. Një të tillë e ka edhe Dashamiri, Urën e Shenjtë. Nuk dua të ndalem të flas se pse e tek është e shenjtë. As nuk dua të flas për tre vëllezërit. Nuk dua të flas as për tradhtinë e as për besnikërinë. Dua t’ju rrëfej diç që do ta kuptoni pas pak, apo siç do të thoshin në ato emisionet pa kripë në televizor, pas një blloku marketingu.
***
Projektet për ndërtimin e rrugës në Lagjen e Urtarëve, apo siç njihet në qytet si Mahalla e Urës ishin të planifikuar shumë më herët. Siç duket, më në fund, i erdhi radha.
***
Ekipet e inxhinierëve dolën në terren për ta shtruar trasenë e rrugës. Në fytyrat e qytetarëve të zonës shihej ngazëllim. Balta do të ishte diçka e harruar. Por, gëzimi i tyre u ndal në gjysmë. Zhurma e makinerive u ndalë. Qetësi e madhe. Dikush shante. Dikush tjetër bërtiste me të madhe. Ca të tjerë kërcënonin. Inxhinierët, të shoqëruar nga makineria e rëndë u ndeshën me qytetarët, të cilët u dolët para për t’i ndalur punimet. Kishin kuptuar se me ndërtimin e rrugës do të shkatërrohej ura. Shkatërrimi i urës nuk ishte për ta vetëm shkatërrimi i një ure që ishin mësuar me shekuj me ta. Shkatërrimi i urës për ta ishte shkatërrimi i identitetit të tyre. Pa urën, ata nuk ishin vetvetja. Por, ata punimet mund t’i ndalnin vetëm për disa minuta e disa orë. Nuk kishin asnjë të drejtë ligjore t’i ndalnin punimet. Ligji nuk parasheh mbrojtje të shenjtërisë e të besëtytnisë. Ligji dhe shteti duan punë.
Numri i madh i njerëzve që ishte aty, u largua. Ata u mposhtën nga shteti. S’kishin asnjë të drejtë t’i ndalnin punimet. Makineritë u ndezën. Por, mes gjithë zhurmës buçitëse të ekskavatorëve u dëgjua një zë. Një qytetar mbante në dorë një letër, që nga larg dukej si dokument i vjetër, që sipas të gjitha gjasave ishte dokument nga ish Mbretëria. E thirri kryeinxhinierin dhe foli diç me të. Në dokumentin që ia ofroi, qytetari e dëshmoi se toka në të cilën ishte ura ishte pronë e familjes së tij. Kryeinxhinieri i bëri me shenjë shoferit të ekskavatorit që të ndalej. Këtu ndryshuan gjërat. Këtu u ndalën punimet. Qytetarët u gëzuan. Shenjtëria u ruajt.
***
Nëse mendoni se rrëfimi mbaroi, gaboheni. Tani u hap një problem i ri. Duhej të verifikohej dokumenti.
***
Punimet u ndalën për një kohë të gjatë. Dokumentet që i zotëronte qytetari nuk gjendeshin në Arkivin e Dashamirit. Madje, nuk u gjetën as në Arkivin Qendror të Livdohovës. U nevojit të krijohej një komision i veçantë që të kërkoheshin dokumente në qendrën e ish Mbretërisë. Në atë komision pata fatin (a fatkeqësinë) të jem edhe unë.
***
Pas shumë pritjeve hymë në Arkivin e Madh të qendrës së ish Mbretërisë. Arkivisti, një i moshuar na dërgoi tek ku ishin arkivuar dokumentet për Dashamirin e Livdohovën. Sapo ia treguam dokumentin që kishim në duar, ai gjeti një dosje ngjyrë hiri, në të cilën shkruhej “Dashamiri në vitet 1700-1710”. Kjo ishte dosja e vetme që mungonte në Arkivin e Dashamirit. Si e tek, pakkush e di. Mbase, askush. Ishte një dosje e madhe, në të cilën ishte regjistri civil, kadastral, penal dhe kronikat për Dashamirin. Me kërkesën tonë, na i fotokopjuan dokumentet dhe i morëm me vete.
***
Pasi u kthyem nga qendra e ish Mbretërisë, u mblodhëm komisioni për ta vërtetuar dokumentin e qytetarit. Pasi shqyrtuam në detaje, vërtetuam që qytetari kishte të drejtë mbi pronën. Punimet përfundimisht u ndalën. Duhej trase e re për rrugën. Përfundimisht dhe ligjërisht, shenjtëria u ruajt.
***
Nëse mendoni se rrëfimi me kaq mbaroi, gaboheni. Këtu mbaroi vetëm rrëfimi për rrugën e re që s’u ndërtua mbi urën e vjetër.
***
Gjithmonë kam qenë kureshtar ta di historinë e asaj ure. Historinë reale të saj dhe jo mitin. Mbase, në Dashamir nuk ka një vijë ndarëse mes historisë e mitit. Gojëdhënave të treguara për tradhtinë e besnikërinë, sakrificën e muret që lëshonin qumësht s’u kam besuar kurrë. Teksa hulumtoja për vërtetësinë e dokumentit më ra në sy një dokument që ndërlidhej me familjen që kishte ndërtuar urën. Një kronist i kohës, që i kishte rastisur të kalonte në Dashamir, kishte lënë një shënim për urën dhe historinë e saj. Po e sjelli në origjinal, ashtu siç e kishte shkruar ai, pa ndërhyrje, vetëm me ndërhyrje gjuhësore, që ju ta keni më të lehtë për ta kuptuar. Ja, çfarë thotë dokumenti i kronistit:
“Këto ditë e kam vizituar edhe Mahallën e Urtarëve. Ky vend është i njohur për urën me gurë. Të gjithë e quajnë Ura e Shenjtë. Kur i pyeta për atë urë, shumë njerëz më folën për të. Në fillim, u mahnita me të. Më treguan se në atë urë e kishin varrosur një grua. Sipas historisë që ma kumtuan, tre vëllezër ishin duke ndërtuar një urë. Muret e urës që ndërtoheshin ditën, shembeshin natën. Kështu vazhdoi me ditë të tëra. Një ditë, një plak u dha një këshillë, që nusja që do t’ua sillte drekën të nesërmen, ta muronin në mur, pasi që ura kërkonte një kurban. Plaku kishte një kërkesë për ta, që të betoheshin e të mos u tregonin grave të veta. Të tre vëllezërit u besatuan. Në mbrëmje, dy vëllezërit e mëdhenj tradhtuan, kurse i vogli e mbajti besën, nuk i tregoi gruas. Të nesërmen, kur erdhi koha e drekës, nëna e djemve kërkoi që t’ua dërgonin drekën djemve. Dy nuset e mëdha refuzuan dhe vetëm e treta pranoi. Pasi që ua dërgoi drekën, kunetërit dhe burri ia treguan lajmin se ajo duhet të murosej në mur. Ajo pranoi me kushtin që njërën këmbë, gji dhe dorë t’ia lënin jashtë, pasi që djalin e kishte të vogël. Në fund, ajo kishte një kërkesë që t’i kërkonin babait të saj, që motrën e vogël që e kishte në shtëpi, t’ia japin burrit të saj, pasi që ai ishte besnik. Ajo u fut në mur dhe më ura s’u rrëzua. Qëndroi në këmbë. U mahnita me besnikërinë e djalit dhe sakrificën e gruas. U mahnita derisa një mik më tregoi versionin tjetër të saj, që ka gjasa të jetë i vërteti. Miku më rrëfeu se në këtë histori s’ka besnikëri e sakrificë, por vetëm tradhti dhe krim. Djali i vogël kishte krijuar lidhje dashurie me motrën e gruas dhe kishte bërë plan që ta vriste gruan. Së bashku me nënën, vëllezërit dhe kunatat ia kishte bërë pusinë gruas. Kishte angazhuar për çdo natë njerëz që t’ia rrëzonin muret që i ndërtonin ditën. Një ditë prej ditësh, kunatat së bashku me nënën e tij do të krijonin rrethanat që nusja e vogël të vinte t’ua sillte ushqimin. Sapo ajo të vinte, ata do ta vrisnin me arsyetimin se ashtu kishin dhënë besën. Me vrasjen e saj do t’i hapej rruga e martesës me të dashurën e re. Ai do të sajonte edhe një rreng, sipas së cilit ajo kishte lënë amanet babait të saj që t’ia jap për grua vajzën e vogël. Amaneti i të vdekurve në këto vende është i shenjtë. Babai i nuses dëgjoi amanetin e saj. Plani u realizua në përpikëri. Ai u martua me të dashurën e tij.
Kështu, tradhtari u bë besnik dhe krimi u quajt sakrificë. Një e palarë e një familje vazhdon të konsiderohet shenjtëri.
11.02.1708”
Kontrollova në dokumentet më të vjetër në Arkivin e Dashamirit dhe gjeta edhe një dosje gjyqësore, në të cilën tre vëllezër ishin dënuar me vdekje për vrasje të rëndë.
***
Nëse mendoni se rrëfimi me kaq mbaroi, gaboheni.
***
Ende pa zbardhur dita, policia rrethoi shtëpinë e pronarit të urës. Ai u arrestua nën dyshimin për vjedhje.
***
Në Gjykatën për Krime të Rënda u dha verdikti për qytetarin Hasan Ura. Ai u dënua me pesë vjet heqje lirie për vjedhje në Arkivin e Dashamirit.
***
Ju kujtohet se ju thash më herët se e vetmja dosje që mungonte në Arkivin e Dashamirit ishte dosja “Dashamiri në vitet 1700-1710”. Nëse nuk iu kujtohet, atëherë kthehuni e lexojeni. Unë po pres, deri sa të ktheheni përsëri këtu. Erdhët? Në rregull, po vazhdojmë. Kjo dosje ishte në Arkiv, por u vodh nga Hasan Ura, pasi që kishte dëgjuar për dokumentin dhe kronikën përmes së cilës tregohej e vërteta për stër-stër-stër…-stërgjyshërit e tij. Nëse do të zbulohej kjo, mbase do t’i humbte autoriteti i tij dhe familjes së tij. E di se çfarë pandeh ti tani. Thua, se çfarë do t’u thotë tani që është në burg? Ke të drejtë. Por, ende nuk je duke i njohur dashamirasit. T’i mashtrosh ata është shumë e lehtë, vetëm ju thua se ky është proces i montuar nga armiqtë, pasi që Hasani ishte patriot dhe ka bërë veprimtari patriotike e politike, dhe kjo mjafton që kur të dali ai nga burgu, ta presin si hero.
***
Nëse mendon se rrëfimi me kaq mbaron, nuk gaboheni.
Fund. /FolDrejt/