Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e festës së pavarësisë.
Mehaj e ka cilësuar 4 Korrikun si rikujtim për angazhimin e përhershëm për të drejtuar e patjetërsueshme, transmeton Fol Drejt.
“Më 4 korrik 1776, Kongresi Amerikan ratifikoi Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që para se të shërbej si dokument pararendës i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, vet akti i bashkimit të 13 kolonive për t’u çliruar nga Anglia e atëhershme perandorake përbën një ngjarje historike që përmbylli epokën e monarkisë për popullin amerikan, për të vënë themelet e republikës e të demokracisë, duke shërbyer kësisoj si shembull për shumë lëvizje e popuj anembanë globit të cilët dëshironin të çliroheshin nga sundimi perandorak për të përqafuar lirinë e drejtësinë, si të drejta të pamohuara e të lindura bashkë me qenien njerëzore.”, është shprehur Mehaj.
“Revolucioni amerikan padyshim se do mbetet në historinë e njerëzimit si ngjarje që nxiti lëvizjet e mëvonshme anti-kolonialiste, i dha guxim popujve për të vetëvendosur fatin e tyre, e për të zgjedhur llojin e qeverisjes që duan.
Pikërisht për efektin zingjiror që pati 4 korriku si ngjarje në luftën për lirinë, të drejtat e barazinë ashtu siç i njohim sot, duke mos u kufizuar thjesht brenda territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhe si kontribues direkt në pavarësinë e shteteve tjera si në rastin e Republikës së Kosovës, do të jemi gjithmonë falenderues si komb për rolin e pazëvendësueshëm të ShBA-së në arritjet tona, andaj këtë ditë i bashkohemi festës së popullit amerikan, partnerit tonë të përhershëm.”, ka shtuar Mehaj më tej./FolDrejt/