Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha sot se Evropa nuk do të tolerojë “agresionin në Ukrainë apo në Indo-Paqësor”, dhe konfirmoi njohjen evropiane të vendimit të gjykatës së OKB-së nga viti 2016, se nuk njohin kërkesat e pretenduara ekspansioniste të Kinës.
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Filipine, e para në nivelin më të lartë në gati 60 vjet të marrëdhënieve të BE-së me atë vend, ajo theksoi se BE-ja është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Filipinet për të rritur sigurinë rajonale detare duke “ndarë informacionin, vlerësimin e kërcënimeve dhe forcimin e Rojës Bregdetare të Filipineve.”, raporton AP.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Filipineve Ferdinand Marcos Junior, von der Leyen theksoi nevojën për bashkëpunim të sigurisë, duke përmendur pushtimin rus të Ukrainës, i cili “tregoi se si liderët autoritarë janë të gatshëm të veprojnë ndaj kërcënimeve të tyre”.