Reshat ef. Kaçallniku – Myfti i Dibrës së Madhe
Një ndër urtësitë dhe porositë e Israsë dhe Mi’raxhit është se Pejgamberit a.s. në këtë mrekulli të bekuar ju afrua koha – e kaluara me atë që përjetonte, e tashmja dhe e ardhmja që do vinte më vonë.
Kur më kujtohet ngjarja e Mi’raxhit, më shkon ndërmend sekuenca e erës së miskut, për të cilën Muhamedi a.s. pyeti se nga vinte kjo erë e këndshme – dhe kur Xhibrili a.s. ja kthen se erë vjen nga një dëshmore e caktuar, një floktore, një shërbëtore e devotshme, e sinqertë, e dëlirë, me të vërtetë më dhemb shumë, kur këtë e reflektoj tek populli dhe kombi im, tek shqiptarët e mi, tek nënat dhe motrat tona, te e kaluara jonë, andaj lus elitën shqiptare që të bën përpjekje maksimale mos të na përsëritet një e kaluar shumë e dhimbshme, që me të vërtetë kombit tonë i shkaktoi plagë, që ende nuk shërohen. Shëmbëlltyra e Israsë dhe Mi’raxhit na riedukon dhe na rikujton duke na thënë:
“O njerëz, nxjerrni një elitë që fatin tuaj ta merrni vetë në duart e juaja! Ndërtoni një rini që të pajiset me ato vlera morale që i duhen dhe ka nevojë shoqëria jonë! Le ti marrin dhe le ti gjejnë te shëmbëlltyra profetike e Pejgamberit a.s.! Mjaft nëpër mediumet tona dëgjuam për vepra që me të vërtetë na dhëmb edhe zemra, na lodhet edhe syri, por na shurdhohet edhe veshi! Ne jemi popull që kemi besim, kulturë, traditë, histori, vlera, kemi shpirt, moral, kemi sakrificë dhe dëshmorë, që gjithçka është e mbuluar me gjakun e fëmijëve tonë, me lotët e nënave tona, andaj lus elitën shqiptare, këto plagë të mos përsëriten asnjëherë në familjet tona dhe në shoqërinë tonë! Të japin gjithçka që munden dhe që janë të aftë ta bëjnë, vetëm që fati ynë të jetë në duart tona! Elitës sonë, udhëheqësve dhe politikanëve tonë sot u duhet shpirti, morali, u duhet Zoti dhe adhurimi, u duhet dashuria dhe vlera njerëzore që kjo fe i ka në brendësinë e vet”.
Urtësia e dytë vjen ka udhëtimi i Muhamedit a.s. nga Mekeja në Jerusalem, gjegjësisht nga xhamia e Qabes në xhaminë e Kudusit. Duke u bazuar në faktin që jemi gjeneratë që i prekim gjërat konstruktive, të dobishme dhe të nevojshme për popullin tonë, elita dhe politikanët tonë, institucionet tona të pavarura që udhëhiqen nga gjaku jonë, le ta afrojnë Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin sa më afër njëra-tjetrës. Ashtu siç i kemi zemrat tona të bashkuara, të jemi pranë njëri-tjetrit me punën, sakrificën, përpjekjen dhe vizione të qarta, në bashkëpunime kulturore, arsimore, politike. Ne jemi popull i dobishëm, ne kemi vlera, ne besojmë në Zot, dhe jemi të sigurtë se as në të kaluarën, as sot dhe besoj se as nesër, nga ne nuk është pritur dhe nuk pritet e keqja. Kërkojmë nga të gjithë udhëheqësit tonë, të jenë në shërbim tonë dhe të na ofrojnë më afër njëri-tjetrit, andaj ashtu siç i kemi zemrat afër, të na krijojnë ura lidhëse që afrojnë mes veti dhe jo që ndajnë, përçajnë e paragjykojnë.
Segmenti i tretë nga kjo ngjarje ishte se Profeti a.s. u fal në Mesxhidul Aksa me profetët e tjerë. Fati jonë, si popull dhe si komb, është e lidhur ngushtë me sakrificën, kontributin, përpjekjen dhe mundin e të parëve tonë. Muhamedi a.s. falej në atë xhemat të profetëve të Zotit dhe mes tyre ishte edhe Sulejmani a.s. i cili kishte pushtet, por jo pushtet të padrejtë, të korruptuar, të kapur nga krimi dhe korrupsioni, por pushtet i cili njihte edhe milingonën. Kjo është mësim për udhëheqësit tonë se ata nuk duhet ti bëjnë dëm as milingonës në tokë, e jo më vëllait të tyre apo bashkombasve të tyre.
Pejgamberi a.s. gjatë faljes, në mesin e profetëve, pati edhe një profet tjetër, ai ishte Davudi a.s., i dalluar për drejtësinë e tij, për artin e bukur të zërit të tij, andaj ky art, në formën më të mirë të mundshme, le të sensibilizojë shoqërinë tonë, të rinjtë tonë, vëllezërit tonë, bashkombasitë tonë për të mirë dhe produktivitet. Art në plot kuptimin e fjalës, që të mbush zemrën dhe shpirtin, që të ngrit vetëdijen, që lufton gjithçka e cila është destruktive për shoqërinë tonë, dhe nxit në gjithçka e cila është konstruktive dhe çon përpara, ngrit vlerat morale dhe krijon njerëz elitarë.
Në mesin atyre që u fal Pejgamberi a.s. ishte edhe Ademi a.s. i cili kur shikonte në të djathtë bijtë e vet, qeshej dhe kur shikonte në të majtë, qante. Kjo tregon se njeriu ka të instaluar në brendësi mëshirën. Ne, si popull, nuk ja duam të keqen askujt, nuk e duam shkatërrimin dhe devijimin e askujt, nuk urrejmë askënd, përkundrazi, ne duam shpëtimin e gjithkujt, udhëzimin dhe përparimin e tyre.
Të gjithë ata njerëz, që kanë për qëllim të urdhërojnë të mirën dhe të ndalojnë të keqen, le të marrin mësim prej Muhamedit a.s. i cili në këtë udhëtim kishte një Burak të shpejtë. Aktivitetit i elitës sonë, duhet të jetë aq i shpejtë sa duhet të kenë kujdes mos na shkel më koha, se nuk ka më kohë. Andaj ashtu siç qeshte Hazreti Ademi a.s., shpresojmë për ekonominë dhe drejtësinë tonë, për institucionet dhe parlamentet tona, për shkollat dhe universitetet tona, për shoqërinë dhe familjet tona, të buzëqesh fati. Muhamedi a.s. ka thënë: Buzëqeshja është lëmoshë (sadaka). Andaj lutemi tek Zoti që kjo buzëqeshje kurrë të mos mungojë te mbarë myslimanët por edhe në popullin tonë që me të vërtetë e meriton.
E marrë nga Myftinia Diber.